Kreu i Çeçenisë, Ramzan Kadyrov deklaroi se Fondacioni Akhmat Kadyrov do të japë ndihma për 20 mijë familje palestineze, teksa foli për situatën në Rripin e Gazës.
“Pothuajse e gjithë bota nuk dëshiron të dëgjojë zërat e fëmijëve të varfër palestinezë. Tani ata po kthehen nga unë me shpresën se do të dëgjohen. Fondi publik ‘Akhmat Kadyrov’, si më parë, do t’u ofrojë të gjithë ndihmën e mundshme vëllezërve tanë nga Palestina. Në këtë fazë tashmë është përgatitur masa e ndihmës për 20 mijë familje”, ka shkruar ai në një postim në Telegram.
Konflikti midis Izraelit dhe grupit Hamas në Gaza filloi më 7 tetor kur grupi palestinez nisi shkrepjen e raketave drejt Tel Avivit, duke mobilizuar madje edhe luftëtarët e tij në komunitetet jugore izraelite. Si shenjë hakmarrjeje, Izraeli nisi bombardimin e Rripit të Gazës për të “eliminuar” Hamasin.
Vlen të theksohet se mbi 8,000 njerëz janë vrarë deri më tani në Gaza që kur kanë filluar luftimet.