“Për Kosovën do duhet të marrim vendime të vështira”, Vuçiç: Ç’bëra për sanksione?

KOSOVA


Në mbrëmjen kur qeveria e tij njoftoi shkrirjen dhe Serbia nisi rrugën drejt zgjedhjeve të reja, Aleksandër Vuçiç iu drejtua me disa mesazhe kombit të tij, duke shfrytëzuar intervistën në emisionin “Cirilica”, në Tv Happy.

Fokusi i Presidentit serb ishin zgjedhjet e ardhshme, situata ekonomike dhe në mënyrë të veçantë negociatat me Prishtinën zyrtare në Bruksel.

Ai tha se me Presidenten e KE-së, Ursula von der Leyen, e cila qëndroi mbrëmjen e kaluar në Beograd do të ketë biseda private ku do të flasin për gjëra të rëndësishme për Serbinë.

Vuçiç po ashtu theksoi se situata në Bruksel ishte e ndërlikuar dhe e vështirë, e se do të duhet të merren vendime më të vështira, por se ai e ka të qartë “se çfarë nuk duhet të bëjë”.

Ne i trajtojmë njerëzit gjithmonë si tifozë në stadium, megjithëse unë e kam kaluar atë periudhë, disa thonë me sukses, disa thonë jo. Duhet të kujdesemi për veten dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë për Serbinë. Ne luftuam dhe bëmë detyrën tonë. Është e rëndësishme që ne e shpëtuam Serbinë, pavarësisht se edhe sot nuk mund të ndiheni mirë përderisa vazhdon terrori ndaj popullit tonë në Kosovë dhe Metohi”, tha Vuçiç.

Thashethemeve se është kërcënuar personalisht nga përfqësuesit e huaj që janë angazhuar në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Vuçic iu përgjigj duke thënë se këto kërcënime i bëhen Serbisë dhe jo atij.

“Nuk do të them kurrë se kush dhe çfarë tha. Nuk mund të them që dikush po më kërcënon personalisht, por kjo bëhet përmes të ashtuquajturve kërcënime të fshehta për vendin tonë. Ajo që nuk mund ta kuptoj është kur bëjnë sikur nuk shohin atë që unë e di se shohin. Një nga pyetjet për të cilën nuk isha i përgatitur ishte se pse isha ulur me Milorad Dodik, sepse për mua ishte logjike që liderët serbë të ulen bashkë. Thonë se nuk është mirë të hash një hamburger me të, përgjigjja ime nuk kishte lidhje me menunë dhe ushqimin. Ata e dinë se unë e di sa të rëndësishme janë për ne investimet direkte. Ata e dinë që unë e di dhe ata e luajnë atë kartë. Të njëjtën gjë do të bëja në vend të tyre”.

Vuçiç po ashtu tha se Serbia do të jetë gjithmonë nën presionin e ndërkombëtarëve për shkak të Kosovës. Po ashtu, akuzoi opozitën serbe si autoshovinistë, për shkak se mbështesin sanksionet ndaj tij.

“Për ndëshkimin e Serbisë, ishte pro gjithmonë Kroacia, ndonjëherë Bullgaria dhe një pjesë e vendeve skandinave dhe baltike. Askush nuk ka mbrojtur ndonjëherë dënimin e Serbisë aq ashpër sa Kroacia. Si ka mundësi që dikush nga Serbia dëshiron ta dënojë Serbinë, sikur nuk është dënuar sa duhet. Ekziston gjithmonë kjo histori. Që nga bombardimet e NATO-s. Kur kërkoni sanksione ndaj Vuçiçit, ato janë sanksione ndaj vendit tuaj. Kur presidenti i një vendi është nën sanksione, nuk është një mesazh i mirë për një vend. Çfarë bëra për ta merituar?”.



Skip to toolbar