Bllokimi dhe djegia e KZAZ-ve gjatë ditës së martë në Shkodër e Tropojë është shoqëruar mëngjesin e së mërkurës me një sërë arrestimesh nga policia, ndërsa në kërkim është shpallur ish deputeti demokrat, Bardh Spahia.
Mësohet se policia ka shpallur në kërkim ish deputetin pas ngjarjeve të djeshme në Shkodër, kur militantë të PD-së i vunë flakën shkollës dhe dogjën materialet zgjedhore.
Kështu gjatë natës janë arrestuar tre punonjës të bashkisë dhe një militant i PD-së në qytetin e Shkodrës të cilët akuzohen për zjarrvënien në shkollën “Shejnaze Juka”, ku është vendosur KZAZ-ja nr.3, që u sulmua nga militantët e opozitës.
Të arrestuarit janë Gentian Bytyqi dhe Alfred Nikolli, dy policë të bashkisë, specialisti i bujqësisë Adi Garuci, ndërsa personi tjetër i prangosur është militant i PD-së, Aleks Ndoj.
Katër personat janë arrestuar mbrëmë gjatë natës pas evidentimit të pamjeve nga ekspertët e policisë.
Ndërsa në Tropojë janë vënë 7 persona në pranga dhe 6 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Policia njofton se 7 personat akuzohen për shkatërrim të pronës, kundërshtim të policisë dhe dëmtim me dashje të materialeve zgjedhore.
5 persona të tjerë janë proceduar në gjende të lirë për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, ndërsa 6 shtetas të tjerë janë shpallur në kërkim.
Të arrestuarit në Tropojë janë:
-A.G., 31 vjeç, banues Bajram-Curri-Tropojë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.
-I.M., 50 vjeç, banues në Bujan, Tropojë, për veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.
-N.N., 32 vjeç, banues në Llugaj, Tropojë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.
-H.Gj., 53 vjeç, banues në Tropojë, për veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.
-B.P., 34 vjeç, banues në Fierzë, Tropojë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.
-A.G., 26 vjeç, banues në Cërnic, Tropojë. Arrestimi i tij u bë pasi ka thyer vendimin e Gjykatës së Rethit Gjyqësor Tiranë, i cili ka qenë me masën e sigurisë arrest shtëpie.
-A.G., 28 vjeç, banues në Cërnic, Tropojë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.
Dëmtimi i materialeve zgjedhore dhe i KZAZ-ve përbën vepër penale ndaj dhe policia do të reagojë me forcën e ligjit për çdo veprim që bie ndesh me të.