Stoltenberg në Sarajevë: Jemi të shqetësuar për ndërhyrjen e Rusisë në Ballkanin Perëndimor

AKTUALITET


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjë dhe Hercegovinës, Borjana Krishto, të hënën në Sarajevë, ka thënë se bashkësia e organizuar ndërkombëtare është shumë e shqetësuar për ndërhyrjen e Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

“Sot diskutuam situatën e sigurisë në Bosnje dhe Hercegovinë dhe më gjerë në rajon. Aleatët mbështesin fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës. Ne jemi të shqetësuar për retorikën secesioniste dhe ndërhyrjen malinje të Rusisë. Kjo kërcënon të cenojë stabilitetin”, ka thënë Stoltenberg.

Stoltenberg ka deklaruar vazhdimisht se Bosnje dhe Hercegovina, së bashku me Gjeorgjinë dhe Moldavinë, përket në mesin e vendeve që meritojnë vëmendje të veçantë nga NATO, veçanërisht pas kërcënimeve secesioniste të presidentit ultra-nacionalist të entitetit serb në Bosnje dhe Hercegovinë, Millorad Dodik, i cili ka mbështetjen e heshtur të Serbisë dhe Rusisë.

Shefi i NATO-s do të takohet me Përfaqësuesin e Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, ndërsa do të vizitojë edhe selinë e NATO-s në Sarajevë dhe do të ketë takime me udhëheqës ushtarakë dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, në dritën e kërcënimeve secesioniste dhe minimit të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit (1995).

Në të njëjtën ditë (20 nëntor), ai do të vazhdojë udhëtimin e tij në Kosovë, ku do të takohet me presidenten dhe kryeministrin e Kosovës – Vjosa Osmani-Sadriu dhe  Albin Kurti – ndërsa do të vizitojë edhe kampin e Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), ku do të takohet me komandantin e KFOR-it dhe do t’u adresohet për një fjalim rasti paqeruajtësve.



Skip to toolbar