Vendi digjet, Lleshaj akoma fjalë: “Do të arrestojmë… do të shkrijmë…”

AKTUALITET


Ministri i brendshëm, Sandër Lleshaj bëri të qartë për të gjithë se do të arrestohen të gjithë ata që sulmojnë KZAZ-të dhe do të ndëshkohen sipas ligjit. Ai gjithashtu tha se do të shkrihen policitë bashkiake që kanë dalë jashtë funksionit të tyre dhe janë kthyer në një rrezik publik.

Lleshaj garantoi se policia e shtetit do të veprojë me vendosmëri dhe profesionalizëm ndaj këtyre akteve kriminale.


“Sulmet ndaj KZAZ-ve janë shfaqje brutale e dëshpërimit politik të kthyer në akte kriminale që do të ndëshkohen me gjithë forcën e ligjit. Policia e Shtetit po provokohet dhe sulmohet, do të përgjigjet me vendosmëri dhe profesionalizëm deri në fund. Punonjës bashkish, dhe punonjës të policive bashkiake po gabojnë rëndë duke u përdorur si mish për top nga kryetarët e bashkive dhe udhëheqësit e tyre dritëshkurtër në Tiranë.

I bëj thirrje të mos bëjnë krime elektorale të dënueshme nga Kodi Penal, për interesat e një grupi njerëzish në halle me drejtësinë që duan të marrin peng zgjedhjet për të bllokuar rrugën integruese. Do të shkrihen disa struktura të policive bashkiake që kanë dalë jashtë misionit të tyre dhe janë kthyer në rrezik publik. Askush nuk do të tolerohet. E gjithë kjo shfaqje nuk do të cënojë aspak rendin dhe sigurinë e qytetarëve. Policia e Shtetit është në krye të detyrës”, tha ministri Lleshaj.

Deklarata e tij vjen në një ditë kur në disa bashki të vendit që drejtohen nga PD dhe LSI, zyrtarët e tyre së bashku me militantë të opozitës kanë sulmuar KZAZ-të dhe kanë djegur materialet zgjedhore në mënyrë që të pengojnë zhvillimin  e zgjedhjeve në 30 qershor. E gjithë kjo situatë është krijuar për shkak të dekretit të presidentit Meta i cili anuloi datën e zgjedhjeve, dekret që është cilësuar nul nga KQZ, por që mbështetet nga opozita.

Por, pavarësisht kësaj deklarate, deri më tani Policia e Sandër Lleshajt ka arrestuar vetëm militantë të thjeshtë të PD-së, dhe asnjë drejtues të kësaj partie, që për hir të së vërtetës janë dhe udhëheqësit e dhunimit të KZAZ-ve. Rasti është ai i ish-deputetit të PD-së, Bardh Spahia, i cili u përfshi mbrëjen e së martës në aktet e dhunimit të një KZAZ-je në Shkodër, ku ndër të tjera ju vu flaka katit të parë të një shkolle. Spahia u shpall në kërkim, sipas Policisë, por ish-deputeti demokrat deklaroi se për të nuk ka asnjë komunikim zyrtar nga organet e rendit, dhe lajmin për shpalljen në kërkim nga policia e kishte mësuar nga mediat, duke shtuar se ai nuk do të parqitej në komisariat.

Deklarata e plotë e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj:

Mirëdita,

Skenat e djeshme dhe të sotme, të sulmeve barbare mbi shkollat, ku janë vendosur Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor dhe angazhimi i punonjësve të Bashkive ‘blu’, për të djegur dhe shkatërruar materialet zgjedhore, janë shfaqje domethënëse e përfshirjes së opozitës jashtë-parlamentare në një spirale të rrezikshme jo vetëm të vetë shkatërrimit, por edhe të dëmtimit të interesit publik.

Në të njëjtën kohë, kjo është një shfaqje brutale e dëshpërimit politik të kthyer në veprimtari të paligjshme e në akte kriminale, që do të ndëshkohen me të gjithë forcën e ligjit.

Policia e Shtetit, garantja ligjore e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, e cila po provokohet dhe po sulmohet në mënyrë të organizuar, po përgjigjet dhe do të përgjigjet proporcionalisht dhe me vendosmëri deri në fund.

Fatkeqësisht, individë të verbuar politikisht, kryesisht punonjës bashkish, por për më keq punonjës të Policive Bashkiake, po gabojnë rëndë duke u përdorur si “mish për top” nga drejtuesit e tyre të bashkive dhe udhëheqësit dritë-shkurtër të këtyre të fundit në Tiranë.

U bëj thirrje punonjësve publikë që të mos marrin mbi vete barrët e rënda ligjore, duke kryer krime elektorale të dënueshme nga Kodi Penal, për llogari të një grushti njerëzish që për interesat e tyre dhe hallet e tyre me drejtësinë, duan të marrin peng zgjedhjet për të dëmtuar rrugën evropiane të Shqipërisë.

Qeveria do të marrë masa të menjëhershme, që në pajtim me ligjin, të shkrijë disa struktura të Policive Bashkiake që kanë dalë haptazi jashtë misionit të tyre dhe janë shndërruar faktikisht në një rrezik publik. Askush nuk do të tolerohet!

Ndoshta kjo mund të jetë pak, por dhe shumë e  sigurt. Ndërkohë, u përcjell të gjithë qytetarëve shqiptarë mesazhin se e gjithë kjo shfaqje e turpshme aktesh barbare kundër zgjedhjeve, nuk do të cenojë aspak rendin dhe sigurinë e tyre.

Policia e Shtetit është në krye të detyrës dhe pavarësisht vështirësive të posaçme të kësaj situate, nuk do të çedojë asnjë milimetër nga përgjegjësia e saj për mbrojtjen dhe garantimin e ligjit.

U bëj apel po ashtu, prokurorëve dhe gjykatësve të këtyre territoreve, ku po shkelet ligji dhe po sulmohet e drejta e popullit për të zgjedhur, që të zbatojnë ligjin, vetëm ligjin dhe asgjë tjetër përveç tij!

Policia e Shtetit do të ndalojë dhe do të arrestojë në bazë të ligjit, çdo shkelës dhe do të depozitojë prova të mjaftueshme për ndëshkimin e tyre, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Ky është një moment kritik në betejën e ligjit me anti-ligjin, shtetit me anti-shtetin, shoqërisë me grupet paramilitare të një politike që zhvillohet në shtratin e paligjshmërisë.

Në ketë moment, ligji, shteti, shoqëria dhe kushdo që i përfaqëson ato, si autoritet, si zyrtar apo si qytetar, duhet të jenë bashkë.

Nuk ka asnjë dyshim se një pakice njerëzish të dalë nga hullia e ligjit, nuk do të imponojnë asgjë tjetër, përveç reagimit të fortë, kompakt dhe fitues të ligjit, shtetit dhe të shoqërisë.

Kryetarë bashkish që po u përfundon mandati legjitim nuk mund të qëndrojnë me dhunë më në detyrë. Mandatet për të qeverisur bashkitë e vendit i jep vetëm populli shqiptar përmes votës së tij të lirë.

Ata që i janë shmangur gjykimit dhe vendimmarrjes së popullit për arsye që jo vetëm ata, por gjithë Shqipëria dhe bota tashmë i di, nuk mund të marrin peng asgjë. Faleminderit!




Skip to toolbar