Sekretet e Sazanit/ Dritan Leli: Jetesa në ishull me edukim ushtarak. Ora atje ka ndalur para 30 viteve

Më të fundit


Si një ish banor në Sazan, Dritan Leli rrëfen për Real Story, vitet e fëmijërisë së tij kaluar në ishull.

Në verën e vitit 2020, në kulm të pandemisë dhe një krize ekonomike që goditi më shumë turizmin, Real Story udhëtoi në ishullin e vetëm të Republikës, së bashku me një ish-banor të tij, për të sjellë në ekran “Sekretet e Sazanit”.

Leli rrëfen se për shkak të karakterit ushtarak, edhe edukimi në ishull mes banorë, ishte një edukim ushtarak, ndërsa shpesh u qëllonte të zgjoheshin nga sirenat luftarake.

“Në të njëjtën mënyrë mbërrije dhe atëherë në Sazan. Anijet lëviznin çdo ditë që sillnin mallra për banorët. Porti i Sazanit është një konstruksion Italian. Pas viteve 70 u ndërtua pjesa më e madhe e banesave. Pjesa më e madhe e banorëve ishin ushtarakë.

Karakteristë e plazheve në Sazan është se ngjyrën e rërës e kanë të kuqe dhe janë plazhe migrues. Sot shkon në një hapsirë, dhe ditën tjetër atë pjesë e shikon të shkëputur 10 metra më tutje. Është si një lojë e bregut me rërën.

Gjithmonë rreth mesditës prishet moti në Sazan janë të rralla ditët kur moti nuk prishet. Ishin ditë të rralla për ne që të shkonim në plazh dhe deti të ishte i qetë gjatë gjithë ditës.

Zakonisht nga ora 11-12 prishej moti. Fëmijëria në Sazan kishte një dimension të çuditshëm, të jepte mundësinë e një hapësire pafund pavarësisht se jetoje në ishull”, rrëfen Leli, ndërsa shton se për shkak të karakterit ushtarak, edhe edukimi në ishull mes banorë, ishte një edukim ushtarak.

“Mënyra e edukimit edhe e fëmijëve në atë kohë, ishte një lloj edukimi ushtarak, rriteshim si fëmijët në zonat kufitare. Sazani ishte sekret ushtarak, ndërkohë që kurioziteti ishte për të gjithë të tjerët. Mundësia për ta vizituar ishte thuajse e pamundur. Edukimi në shkollë ishte i lidhur me atë që ishte Sazani.

Sazani ishte njësi e fortifikuar dhe jetonim në kushte ushtarake me një disiplinë dhe korrektesë për t’u marrë shembull. Ushtarakët ishin me një disiplinë të hekurt, ishin pjesa më besuar e pushtetit të asaj kohe. Të gjithë ishin të përgatitur që të sakrifikonin çdo gjë. Dhe për ne ishin ato përgatitjet ushtarake, na zgjonte një sirenë alarmi dhe brenda gjysmë ore duhet të ishim të gjithë në vend strehime. Ishin pjesë e jetës së të gjithëve. Ishte konceptuar sikur armiku mund të vinte nga momenti në moment. Pjesë e jetës sonë ishin gjithmonë ushtarët marinarët”, rrëfen më tej Leli.

“Ajo që kam përjetuar me shumë emocion ato vite, ne ishim fëmijë dhe informacioni nuk ishte në detaje se dhe prindërit ishin mësuar të bënin biseda me shumë rezerva në familje, ka qenë mbërritja e një nëndetëseje amerikane në gjirin e Vlorës, dhe prindërit tanë ndenjën pothuajse 3 muaj në det. Porti ka qenë i mbushur me anije luftarake shumica janë dëmtuar dhe janë zhytur. Sazani kishte një autonomi, kishte edhe një ekonomi ndihmëse. Kishte ndërmarrje që punonin, mbilleshin fruta perime, kishte bagëti, rezerva në tunele që mbaheshin për situatë emergjence për t’u përballur me çdo të papritur që mund të ndodhte. Në Sazan ora ka ndalur para 30 viteve. Këtu nuk është ndërtuar asgjë. Interesante është konservimi i vendit, që e bën interesant për vizitorët që mbërrijnë në Sazan”, shton Leli./abcnews.al



Skip to toolbar