Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka mohuar të ketë pasur një takim me Shkëlzen Berishën, vitet e fundit. Duke folur në “Real Story” me Sokol Ballën, Veliaj u shpreh se me Shkëlzen Berishën janë ndarë në ambientet e gjimnazit.
“Edhe një herë, për punën që bëj do ishte shumë më e thjeshtë të bëja kompromise dhe thjesht ta kisha mirë me të gjithë dhe të mos hapja asnjë betejë dhe asnjë sherr. E di fare mirë unë në këtë vend se si kënaqen orekset e gjithsecilit, por unë kam zgjedhur të mos e bëj këtë.” u shpreh Veliaj, ndërsa theksoi se gjithçka është një betejë politike.
Pjesë nga intervista:
Pyetje: Erion, fakti që ke luftuar prej 20 vitesh ka edhe një domethënie tjetër, që nuk kanë goditur gjithmonë kryetarin e Bashkisë, nuk kanë luftuar gjithmonë me kryetarin e Majft, nuk janë përballur gjithmonë me ministrin e Punës Sociale, por janë përballur edhe me drejtuesin politik të Tiranës, me njeriun më të rëndësishëm në hierarkinë politike, nga pikëpamja kur them politike, edhe elektorale të Partisë që qeveris vendin është future në vitin e 12, dhe nëse i referohemi sondazheve është afër një mandati të katërt. Pra, nuk jeni goditur thjesht ju si Erion, është goditur edhe projekti politik të cilin ju përfaqësoni. Dhe këtu nuk i referohem atij projekti politik që drejton Edi Rama, por asaj pjese të projektit politik Edi Rama, që përfaqësoni ju.
Veliaj: Edhe një herë, për punën që bëj do ishte shumë më e thjeshtë të bëja kompromise dhe thjesht ta kisha mirë me të gjithë dhe të mos hapja asnjë betejë dhe asnjë sherr. E di fare mirë unë në këtë vend se si kënaqen orekset e gjithsecilit, por unë kam zgjedhur të mos e bëj këtë. Unë kam zgjedhur të mos bëj kompromise, dhe kam zgjedhur të mbaj larg ata njerëz që kërkojnë gjëra të paligjshme të cilës do kategori se nuk janë vetëm të medias, janë edhe të politikës. Pra, nëse do doja…
Pyetje: Se dëgjuam se keni takuar edhe Shkëlzen Berishën ..
Veliaj: Kjo është po aq e vërtetë sa të them unë që sot po bie borë, edhe po bie shi, ndërkohë që po shndrit dielli.
Pyetje: Po nuk flasim për sot, flasim edhe për vite të shkuara..
Veliaj: A, në gjimnaz e kam takuar patjetër, atë dhe Sokol Nanon, në gjimnaz, por në gjimnaz ka qenë hera e fundit. Kol Nanon e kam takuar edhe më vonë, kemi qenë te ‘Samiu’ dhe nuk e kam takuar ndonjëherë për asnjë lloj arsye tjetër. Megjithatë thash njerëzit në këtë qytet i njohin të gjithë. Njohin kush sajon, kush punon. Kush pengon, kush çon projektet përpara. Kush vendos një gjobë dhe kush do të avancojë kauzën e qytetit të modernizuar.