Kreditë me probleme janë pengesa kryesore e kreditimit nga sistemi bankar. Pagesat e parregullta të kredive nga huamarrësit, vonesat apo pamundësitë e për shlyerjen e tyre, çojnë në uljen e perspektivave për marrjen e një kredie të re.
Banka e Shqipërisë, në një sqarim të detajuar, tregon se si e trajtoi këtë fenomen nëpërmjet evolumit të konceptit të shitblerjes së kredive me probleme, me sugjerimin e Bankës Botërore (BB) dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Banka sqaron se ky koncept u shfaq në tregun financiar shqiptar rreth vitit 2012, për shkak se “pas krizës financiare të viteve 2008-2010, bankat kishin akumuluar një portofol të konsiderueshëm kredish me probleme, i cili po pengonte zhvillimin e mëtejshëm të kredidhënies për shkak të konsumit të lartë të burimeve të brendshme për rikuperimin e tyre”.
Niveli i kredive me probleme në atë kohë ishte tepër i lartë, duke e kaluar vlerën 25% të kredisë totale.
“Ky nivel, –thotë BSH, – në kushtet edhe të kulmimit të pasojave të krizës financiare në Greqi dhe efekteve të saj në sistemin financiar shqiptar, përbënte një skenar tejet të rrezikshëm që mund të thellohej më tej, duke cenuar drejtpërdrejt parametrat kryesorë të shëndetit bankar dhe duke u kthyer në një kërcënim serioz të kursimeve të qytetarëve të depozituara pranë bankave të nivelit të dytë.”
Sipas BSH, në këtë kontekst, marrë në konsideratë që një mandat thelbësor ligjor i Bankës së Shqipërisë, krahas atij të stabilitetit të çmimeve, është edhe ruajtja e stabilitetit financiar në tërësi, ishte e domosdoshme marrja e masave të menjëhershme për adresimin e kësaj problematike, e cila në atë kohë konsiderohej e një rëndësie kombëtare.
Në shtator të vitit 2015, kohë që përkon me marrjen e detyrës nga Guvernatori Gent Sejko, u miratua “Plani Kombëtar për Reduktimin e Kredive me Probleme”, plan i cili u nënshkrua nga Kryeministri dhe Guvernatori dhe përcaktonte një sërë detyrash për institucionet qeveritare dhe për Bankën e Shqipërisë. Një ndër detyrat e Bankës së Shqipërisë ishte pikërisht rregullimi dhe licencimi i shoqërive që do të angazhoheshin në blerjen e kredive me probleme. Një nga format e propozuara nga institucionet partnere ndërkombëtare për ta adresuar këtë fenomen, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore (BB) ishte aktivizimi i shoqërive që kishin si objekt blerjen e kredive me probleme, një praktikë kjo e njohur ndërkombëtarisht.
“Qëndrimi i Bankës së Shqipërisë, – sqaron BSH – ishte që në kushtet kur kredia është një produkt financiar, atëherë edhe transferimi i këtij produkti duhet të bëhet drejt subjekteve të licencuara nga Banka e Shqipërisë.”
Pas vendimit të Këshillit Mbikëqyrës në mars 2016 për njohjen e blerjes së kredive si aktivitet kredidhënës, Banka e Shqipërisë njoftoi bankat e interesuara se procesi i mbledhjes së kredive me probleme është pjesë e procesit të kredidhënies dhe si i tillë nuk mund të kryhet nga subjekte të palicencuara nga Banka e Shqipërisë. Këto subjekte me aktivitet administrimin e kredive me probleme do të duhet të licencoheshin nga Banka e Shqipërisë, si dhe t’i nënshtroheshin të gjitha detyrimeve rregullatore dhe mbikëqyrëse që përfshinin, midis të tjerash: detyrimisht raportimin në Regjistrin e Kredive, raportime periodike pranë Bankës së Shqipërisë, administrimin e riskut nëpërmjet inspektimeve në vend dhe analizave nga jashtë.
Pjesë e këtij sistemi u bë edhe shoqërua Micro Credit Albania (MCA).
Historiku i mbikëqyrjes së MCA-së
Banka e Shqipërisë, në një histori të shkurtër mbi këtë shoqëri, sqaron të gjithë procesin nga licensimi deri në vendimin për t’i hequr licencën asaj, si pasojë e problemeve të krijuara. Banka thotë se ia hoqi licensën MCA-së duke i pamundësuar kryerjen e aktiviteteve për të cilat ishte licensuar, por nuk veproi me një vendim formal me qëllim që t’i lejonte asaj shitjen e portofolit dhe për të shmangur problemet sociale.
“Nga momenti i licencimit, subjekti u është nënshtruar në mënyrë të rregullt inspektimeve të Bankës së Shqipërisë dhe konkretisht, inspektimeve të vazhdueshme nga jashtë, disa ekzaminimeve të plota dhe të pjesshme, si dhe një monitorimi 3-mujor të pasqyrave dhe treguesve financiarë të raportuar prej tyre. Në ekzaminimin e fundit në dhjetor 2023 u morr një masë mbikëqyrëse më e rëndë, sipas së cilës subjekti nuk mund të ushtrojë asnjë nga veprimtaritë për të cilën është licencuar, si: të gjitha format e kredidhënies, blerja e kredive, procesi i trajtimit dhe të ristrukturimit të kredive etj.; dhe u lejua vetëm të shiste portofolin që administronte tek subjekte të licencuara nga Banka e Shqipërisë për të ushtruar këtë aktivitet. Pavarësisht se masa më e fundit mbikëqyrëse në fuqi për subjektin MCA e ka vendosur atë në kushtet e një “revokimi faktik” të licencës, pra duke i pamundësuar kryerjen e çdo aktiviteti për të cilin është licencuar si listuar më sipër, qëndrimi i Bankës së Shqipërisë për të mos proceduar deri më tani me revokimin formal të licencës, lidhet me kujdesin për të shmangur problemet sociale që do ta shoqëronin këtë vendimmarrje.”
BSH sqaron se duke i revokuar licencën, MCA do të ishte jashtë perimetrit të mbikëqyrjes nga Banka e Shqipërisë dhe nuk do të raportonte më në Regjistrin e Kredive dhe as nuk do të vijonte komunikimin me Bankën e Shqipërisë, duke krijuar kështu situata më të rënda në raport me detyrimet e kredimarrësve.
“Konkretisht, edhe në rast se ata do ta paguanin tërësisht detyrimin, ai do të mbetej i papërditësuar në Regjistrin e Kredive, duke ruajtur padrejtësisht një historik joperformues që do t’i penalizonte kredimarrësit”, thuhet në sqarimin e BSH.
Revokimi i licencës, sipas BSH, e bënte po ashtu të pamundur për Bankën e Shqipërisë të trajtojë ankesat e klientëve të MCA-së, pasi kjo e fundit nuk do të mbikëqyrej më nga Banka e Shqipërisë dhe, duke mos pasur detyrim për llogaridhënie do të krijonte situata më të rënda për kredimarrësit.
“Revokimi i licencës do të krijonte edhe pritshmërinë e gabuar të kredimarrësve se nëpërmjet revokimit të licencave të subjekteve kredidhënëse mund të shuhet edhe detyrimi i tyre. Kështu, kredimarrësit mund të perceptojnë që mospagimi i detyrimeve ekziston si opsion, gjë e cila do të risillte rritjen e kredive me probleme në sistemin bankar, duke rivendosur në rrezik kursimet e qytetarëve e rrjedhimisht stabilitetin financiar të vendit. Përtej sa më sipër, edhe në rast revokimi formal të licencës, procedurat e ndjekura për ekzekutimin nga shërbimi përmbarimor mbeten të paprekura nga kjo vendimmarrje, pasi këto procedura rregullohen nga Kodi i Procedurës Civile dhe ligji për shërbimin përmbarimor. Kjo do të thotë që procesi i ekzekutimit të detyrimeve do të vijojë dhe paralelisht me të edhe problematikat që ky proces mbart. Pikërisht këto problematika, në këtë pjesë të procesit, janë konstatuar nga konsumatorë të ndryshëm gjatë ankesave të depozituara pranë Bankës së Shqipërisë.”
Ankesat në lidhje me MCA
Gjatë periudhës 2015 – 2024, kanë ardhur pranë BSH dhe janë trajtuar vetëm 85 ankesa/kërkesa ndaj subjektit Micro Credit Albania. Numri më i madh i këtyre 85 ankimimeve të mbërritura në BSH nga klientët e kësaj shoqërie lidhet me procesin e ekzekutimit të detyrueshëm nga shërbimi përmbarimor.
Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë thotë se nuk ka kompetencë të urdhërojë ndalimin apo pezullimin e proceseve të ekzekutimit të detyrimeve, pasi kjo është kompetencë që me ligj i njihet vetëm gjykatës kompetente.
“Veprimtaria e shërbimit përmbarimor, qoftë ky i organizuar në formë shtetërore apo private, nuk licencohet apo mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë. Si rrjedhojë, veprimtaria e shërbimit përmbarimor nuk është objekt kontrolli i Bankës së Shqipërisë dhe Banka e Shqipërisë nuk ka asnjë kompetencë për të ndërhyrë”, vijon më tej sqarimi i BSH.
Banka e Shqipërisë raporton se është njoftuar nga bankat e nivelit të dytë mbi shqetësime përsa i përket veprimtarisë së shërbimit përmbarimor që lidhet me numrin tejet të lartë të urdhrave të sekuestrove që depozitohen pranë bankave me frekuencë ditore, si dhe mbajtjen të bllokuar përtej afateve të përcaktuara në aktet rregullative të llogarive të debitorëve.
“Duke qenë se këto vijnë si rrjedhojë e aktivitetit përmbarimor mbi të cilin Banka e Shqipërisë nuk ka asnjë tagër ligjor për të ndërhyrë, kemi komunikuar me Ministrinë e Drejtësisë dhe palët e tjera, për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare këtij problemi”, sqaron BSH.
Komunikimi me Ministrinë e Drejtësisë dhe Dhomën Kombëtare të Përmbaruesve
Banka e Shqipërisë thotë se ka bërë gjithçka që ligji i njeh dhe është brenda kompetencës së saj, për të siguruar mbarëvajtjen e procesit të ekzekutimeve të kolateraleve.
“Në këtë pikë theksojmë se, autoriteti ligjor i Bankës së Shqipërisë përfundon në momentin që është marrë një vendim i gjykatës dhe është lëshuar urdhri i ekzekutimit për të rikuperuar kredinë e pashlyer. Çdo proces përtej këtij momenti (ankandet, vendosja e sekuestrove apo çdo veprim tjetër procedural i ndërmarrë nga shoqëria përmbarimore) është jashtë kompetencave ligjore të Bankës së Shqipërisë dhe nuk mund të ndiqet apo rregullohet prej saj”, njofton BSH.
BSH thekson se ka kërkuar grupe të përbashkëta pune me Ministrinë e Drejtësisë për të bërë të mundur adresimin konkret të problematikave; ka sjellë në vëmendje të subjekteve të licencuara përmbushjen e detyrimeve rregullatore gjatë procesit të ekzekutimit; ka raportuar sa herë që është kërkuar në Kuvendin e Shqipërisë rreth problematikave dhe zgjidhjen e ofruar; ka sqaruar pafundësisht Dhomën Kombëtare të Përmbaruesve rreth çështjeve shpeshherë të gabuara dhe pretendimeve që kanë ngritur, duke pasqyruar në këto përgjigje detyrimet dhe kompetencat ligjore të Bankës së Shqipërisë, ka pasur komunikime të shpeshta me Shoqatën Shqiptare të Bankave rreth adresimit të ndonjë problematike të shfaqur në sektor.
“Shitblerja dhe trajtimi i kredive me probleme ka ardhur duke u zhvilluar dhe duke qenë se në rregullimin e tij ndërthuren kompetencat e autoriteteve të ndryshme, është i nevojshëm një koordinim i gjerë mes tyre, për të adresuar problematikat e evidentuara deri tani”, thuhet në sqarim.
Banka e Shqipërisë nënvizon se ka ushtruar të gjitha funksionet e saj në përputhje të plotë me kërkesat ligjore dhe rregullative, në përmbushjen e njërit prej mandateve të saj ligjore, atë të stabilitetit financiar të vendit.