Manjani: “Kolegji s’mund të shqyrtojë ankesat e partive”. (Që janë subjekte zgjedhore?)

AKTUALITET


Ndërkohë që Kolegji Zgjedhor e ka rrëzuar me vendim unanim 5 me zero dekretin e Metës, ish ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka nxjerrë një teori të re. Ai thotë se Kolegji s’mund të shqyrtojë ankesat e subjekteve politike jashtë procesit zgjedhor.

Këtë gjë Manjani e thotë pasi e cilëson të ligjshëm dekretin e Metës për anulimin e zgjedhjeve. Sipas tij, aktualisht vendi nuk ndodhet në një proces zgjedhor dhe për këtë arsye Kolegji Zgjedhor nuk mund të shqyrtojë ankesa të partive jashtë procesit zgjedhor.

“Formalisht pas Dekretit të Presidentit ne nuk jemi në proces zgjedhor. Ndaj debati ka apo jo të drejtë një subjekt të largohet apo të rrijë në zgjedhje nuk ekziston përsa kohë që s’ka zgjedhje.

Fakt është se nuk ka ende një datë zgjedhjesh. Fakt është gjithashtu se dekreti për anulimin e zgjedhjeve është në fuqi.

Fakt është se fuqinë e këtij dekreti e anulon ose vetë Presidenti ose Gjykata Kushtetuese.

Përsa kohë dekreti është në fuqi, Kolegji Zgjedhor nuk ka juridiksion të shqyrtojë mosmarrëveshje që lidhen me një proces inekzistent”, shkruan Manjani i cili më pas sugjeron që partitë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për interpretimin përfundimtar është apo jo Kushtetues Dekreti i Presidentit.

Deklarata e Manjanit u bë të dielën. Të hënën Kolegji Zgjedhor nuk e dëgjoi. Por dëgjoi ankesën e një partie që është subjekt zgjedhor. Dhe zgjidhi një dilemë ligjore. tashmë do kemi zgjedhje në 30 qershor.



Skip to toolbar