Pas sulmit ndaj SHBA, Manjani kërkon shkrirjen e Ministrisë së Brendshme!

AKTUALITET


Ish ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka propozuar shkrirjen e ministrisë së Brendshme dhe kalimin e policisë nën varësinë  e prokurorisë. Përmes një statusi në facebook ish ministri i LSI-së, që mbështetet hapur nga presidenti Meta i cili shpeshherë i bën repost mesazheve të tij, veçanërisht atyre që lidhen me sulmet ndaj ambasadës së SHBA-së dhe Reformës në Drejtësi; shkruan të hënën se ministria e brendshme duhet të shkrihet pasi prodhon vetëm anti-kushtetutshmëri. Ai propozon që të ngrihet një ministri Rendi, por edhe në këtë rast sugjeron që policia të mos bëjë hetime dhe kontrolle në banesa, por të jetë e varur nga prokuroria.

“Reforma tjetër themelore që duhet të eleminojë menjëherë shkeljen masive të lirive dhe të drejtave Kushtetuese në vend, duhet të jetë shkrirja e Ministrisë së Brendshme.


Edhe si strukturë por edhe si mentalitet duhet shkulur ky çiban që prodhon vetëm anti-kushtetutshmëri.

Ministria e Brendshme në Shqipëri ka emër dhe traditë shumë të keqe sepse ajo lehtësisht shndërrohet si mjeti kryesor i dhunës politike në vend.

Një ministri përgjegjëse politikisht për rendin publik do mjafton, shumë e vogël në numër dhe me detyra thjesht drejtimi civil dhe auditi performance do mjaftonte.

Kjo çon menjëherë tek nevoja për transformimin e thellë, por të thellë fare të policisë së Shtetit. Ajo duhet të jetë thjesht një ruajtëse e rendit publik dhe e gjitha e varur nga Prokuroria e Shtetit për gjurmimin dhe hetimin e çështjeve.

Policia nuk mund të hetojë e aq më pak të proçedojë penalisht siç njofton çdo ditë! Kjo praktikë nuk ka lidhje me Kushtetutën e zbatimit korrekt të Lirive themelore.

Sigurisht i gjithë ky tranformim rrënjësor do të duhet të shoqërohet me ndryshime ligjore domethënëse ku me përparësi do të duhet të: përmbysen ligjet e arrestimit pa prova, ndalimit të policisë të bëjë hetime në kuptimin proçediral penal dhe, kufizimin e të drejtës së shoqërimit në polici.

Pa harruar procedurën e ekzekutimit të masave të sigurisë dhe të ndalimit të dhunimit të banesës natën.

Pra, pikpamja ime është një Ministri Rendi që kryen detyrat civile dhe politike por që nuk ka asnjë rol mbi Policinë. Kjo e fundit ruan rendin nga çdo kërcënim dhe vihet e gjitha nën hyqmin funksional të Prokurorisë.

Prokuroria ka përgjegjësinë kushtetuese para publikut për të luftuar krimin. Edhe zëdhënien në publik e bën Prokuroria dhe jo policia. Kështu siç është sot ka qenë dhe në rregjimin komunist!”, shkruan Manjani.

Kohët e fundit ai është shprehur në facebook kundër aksionit të qeverisë ndaj informalitetit duke shkruar më herët se “ku i gjen ligjet pushteti që urdhëron policinë të pastrojë plazhet, të nxjerrë njerëz nga shtëpitë e tyre, të bllokojë biznese, të urdhërojë sekuestro llogarish bankare, të mos njohë akte zyrtare e noteriale?!”, duke dalë në këtë mënyrë kundër nismës së qeverisë për të respektuar ligjet.

Manjani gjithashtu është një nga zërat më të ashpër kundër reformës në drejtësi. Madje ai ka gjetur edhe mbështetjen e presidentit Meta i cili i bëri repost një mesazhi të tij në facebook, mesazh në të cilin Manjani shkruante se SHBA ia fuste kot duke mbështetur Raportin Paraprak të zgjedhjeve nga OSBE-ODIHR.

Por edhe propozimi për shkrirjen e ministrisë së Brendshme dhe heqjen e të drejtës së policisë për të mos bërë hetime dhe kontrolle në banesa bie kryekëput ndesh me propozimet e ndërkombëtarëve për reformën në drejtësi. Një nga kompetencat kryesore të SPAK do të jetë hetimi, kontrolli i banesës dhe arrestimi i deputetëve dhe zyrtarëve të lartë pa përfshirë këtu kërkesën e prokurorit të përgjithshëm. Pra ndërkombëtarët kërkojnë hetime, arrestime dhe ashpërsim të luftës kundër korrupsionit, nga ana tjetër ish ministri i LSI-së kërkon shkrirje të ministrisë së Brendshme dhe zhvlerësim të kompetencave të policisë.




Skip to toolbar