BBC: Roja bregdetare greke ka hedhur emigrantët në det

BOTA


Në një artikull të gjatë, BBC raporton se roja bregdetare greke ka shkaktuar vdekjen e dhjetra emigrantëve në Mesdhe gjatë 3 viteve të fundit, duke i hedhur në det.

Një pjesë e emigrantëve janë hedhur qëllimisht në det nga roja bregdetare, e të tjerë janë lënë aty apo nuk janë shpëtuar pasi janë dëbuar me forcë nga ujërat territoriale greke.

BBC e mbështet analizën e saj në pamje dhe dëshmi të dhëna nga dëshmitarët.

Nga ana tjetër, roja bregdetare greke i ka kundështuar me forcë këto akuza për veprime të paligjshme nga ana e tyre.

BBC ka analizuar 15 incidente të periudhës 2020-2023, që rezultuan në 43 vdekje. BBC thotë se burimet fillestare të investigimit të tyre ishin mediat lokale, denoncimet e organizatave dhe roja bregdetare turke.

Autoritetet greke janë akuzuar shpesh se po bëjnë kthime të detyruara të emigrantëve, duke i shtyrë drejt Turqisë.

Në 5 nga incidentet e hetuara nga BBC, emigrantët thanë se u hodhën në det nga autoritetet greke. Në 4 prej rasteve, emigrantët e mbijetuar shpjeguan se si kishin zbritur në ishujt grekë, por ishin neutralizuar nga roja bregdetare greke.

Në raste të tjera, emigrantët thanë se ishin detyruar të hipnin në gomone pa motor dhe ishin lënë në det, që më pas ishte shfryrë ose dukej se ishin çarë.

Një burrë nga Kameruni ka rrëfyer për BBC një rast të rëndë. Sapo kishin mbërritur në tokën greke, policë të veshur me rroba të zeza dhe maska u shfaqën tek emigrantët. Ai tregon se së bashku me dy persona të tjerë, një nga Kameruni dhe një nga Bregu i Fildishtë, i rrahën dhe i hodhën në det, ku dhe u mbytën.

Vetë dëshmitari që ka folur për BBC, gjithashtu është dhunuar dhe e hodhën në det.

“Më godisnin sikur të isha kafshë”, tregon ai. Më pas e shtynë në ujë pa jelek shpëtimi, por ai ishte në gjendje të notonte dhe të dilte deri në breg. Trupat e dy personave të tjerë që u dhunuan, u gjetën nga roja bregdetare turke në territorin e tyre.

Nga ana tjetër, nga viti 2015 deri në vitin 2024, Roja Bregdetare Greke shpëtuar 250,834 refugjatë në 6161 raste incidentesh në det.



Skip to toolbar