Çupi: Bejkushi, ky kampion fëmijë

Më të fundit


Nga Frrok Çupi

Po nisem për në stadiumin Arena, ku pas pak mbahen homazhet për Bejkush Birçen. Ngado më vjen fjala ‘ kampionin, kampionin!’. Flasin rrugës; Bejkushi njihet në gjithë vendin si kampion.

Kështu nisi ky mëngjes sot.

Mëngjeseve, të paktën një në pesë, e kam pasur Bejkushin pranë. Dhe po kaq rastësor është fati se po këtu në zonën rreth Arenës, prej këtu deri në und te Parkut te  Madh ku qytetarë të Tiranës hapin ditën në ecje a vrap rrugëve të freskëta andej.

Kështu qenka…, njëmijë mëngjese të bashkojnë por vetëm një mëngjes është ai që të ndan nga miku e njeriu i afërt. Paradoks duket se në mëngjes ndahemi prej tyre, thuajse gjithmonë. Po kështu ndodh se atëherë zgjohen lajmet për çfarë ka ndodhur në gjumë. Sidomos humbjet e miqve na vijnë bashkë me mëngjesin.

Më duket se me Bejkushin jemi bërë miq  në Vlorë, në vitin 1997; ose edhe më përpara. Në Vlorë kalova luftën ose ca kohë më gjatë. Por Vlora ka mbetur mes nesh si biseda e pa mbaruar. Kampioni e kishte thikë në zemër atë që shteti i bëri Vlorës atë vit. E sulmoi me armë, i preu urat, e rrethoi që të vdiste nga uria, i futi amët brenda dhe vetëm nuk mundi ta bombardojë me lëndë kimike. Vlora mbeti pa vdekur për shkak të tre kategorive qytetare:

Nuk po them vetëm për shkak të aviatorëve që nuk iu bindën kryetarit te shtetit për të qëlluar mbi popull, sepse ‘aviator’ atëherë donte të thoshte ‘vlonjat’.

Për shkak të kategorisë tjetër të sportistëve dhe artistëve.

Vlora ngre piedestale për sportistët e vet, sot e kësaj dite i ka ‘atje lart’ sportistët e viteve të shkuara; Ruci do të luajë këto ditë me Spanjën, Fred Ziaji humbi jetën pak vite të shkuar…. Bejkushi është si dekani i sportistëve të Vlorës.

Kategoria tjetër që vlonjatët e duan dhe e besojnë është kategoria e artistëve; ata në vitin e keq të shtetit mbajtën Vlorën.

Çuditëm keq kur dëgjoj përditë disa ‘ poetë’ që bëjnë garë me njëri tjetrin, “unë peshoj më shuma se ti, e ti më pak se unë’. Të gjithë masin me peshore. Këta dëgjojnë vetëm njëri tjetrin.

Bejkushi e kishte provuar të mos pajtohej me shtetin, edhe kur shteti nuk ishte kaq i egër sa në vitin 97. Në vitet e diktaturës kishte protestuar para shtetit të hekurt dhe nuk kishte lejuar shtetin që t’ ia merrte nëpër këmbë kolegët sportistë, duke u nisur nga Panajot Pano; kjo na kishte shënuar jetën ne në qytet që e dëgjonim si legjendë.

Bejkushi nuk ka folur kurrë për sportin, si ata që ta mërzisin orën me atë gjë që dinë më mirë. Dikush tjetër mund të mburrej si e bëra golin nga e majta e si e drejtova ekipin. Bejkushi ka provuar majat, nga kampion si futbollist, trajner i Kombëtares dhe trajner i Vlorës. Me asgjë nuk ushtroi dominim me ato ‘pasuri’  që i zotëronte vetëm ai. Se ishte kampion i njeriut.

Sporti, në këtë rast, qenka si fabrika që nxjerr prodhim tjetër nga ajo që bluan, sporti nxjerr njerëz elitarë të shoqërisë. Ashtu siç edhe arti e kultura, letërsia e muzika, të vërtetët.

Nuk mund të them se me Bejkushin kemi folur ‘ këtë, këtë, e këtë’. Jo, për atë gjë që sillte dita. Veç për sport jo; ai dukej si heroi që po dilte nga ajo fushë dhe aq ishte puna e tij, bënte me dorë sikur thoshte ‘po lëre atë’,  dhe hapte një gjë tjetër.

Të kërkonte një përgjigje me ata sy të magjishëm, sy mu si një fëmijë i sapo zgjuar nga gjumi. Me atë bukuri sportisti që sporti i ashpër nuk i kishte lënë asnjë damkë. Ishte thjesht një fëmijë.



Skip to toolbar