Kryeministri Edi Rama kritikoi rritjen e çmimeve në jug këtë sezon turistik. Në takimin që po mban me kryebashkiakët e vendit, Rama e cilësoi këtë si një “vetëvrasje”, duke shtuar se do të sjellë një kosto të lartë për vendin vitin tjetër, duke bërë që të largojë turistët e shumtë që vijnë.
“As nuk i kontrollojnë dot apo imponojnë por ama në Vlorë, në Sarandë, ku janë edhe dy pikat e një rritjeje absurde të çmimeve është e reëndësishme që të flitet me operatorët e hoteleve dhe t’ju thuhet që kjo është jo vetëm e padrejtë se mbase në kushtet e kapitalizmit, fjalën e padrejtë ata që duan të fitojnë s’e perceptojnë, por kjo është stratigjikisht vetëvrasje. Duhet të komunikohet dhe flitet që rritja e palogjikshme e çmimeve vjen në një kosto të larta vitin tjetër.
Se po të ishte kaq kollaj do të ishte bërë tërë bota këtë sport. E kanë bërë dhe pastaj kanë marrë mësime të hidhura, por i kanë marrë vonë kështu që para se të jetë vonë duhet të komunikohet që çmimet të jenë të arsyeshme. Askush nuk mund t’jua imponojë por është edhe çështje dijeje. Shikoni Durrësin, Shëngjinin Velipojë janë stabël. Dhe natyrisht vlonjatët janë molla e këtij sherri.
Tani që Vlora është bërë kaq e kërkuar dhe kaq e konkurruese gropa në gjoksin e vlonjatëve është hapur dhe do të binë vetë. Nuk më vjen keq për ta, por është e padrejtë komplet dhe e turpshme për të krijuar një klimë absurde që në këtë moment ku sapo kemi hyrë në Champions League e Mesdheut të fillojë dhe të belbëzohet. Vlonjatëve iu ka dalë edhe syri edhe nami, dhe trutë atyre që kanë hotelet. Kështu që është mirë që ta kuptojmë dhe mbase me këtë gjuhë, do të zbresim pak me këmbë në tokë.”, tha Rama