Nga vdekja e Mbretëreshës deri te dizenjimi i Berishës/ Smith: Kam përjetuar një sërë momentesh emocionale gjatë qëndrimit në Tiranë

Më të fundit


Përpos pjesës politike, ambasadori britanik Alastair King Smith, foli edhe për momentet e bukura si dhe prekëse gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri.

Gjatë intervistës në emisionin “Real Story” në ABC News, ai u shpreh se ka përjetuar një sërë momentesh emocionale në Tiranë, si p.sh vdekja e Mbretëreshës së Britanisë, kurorëzimi i Mbretit Karl, marrëveshja për emigracionin, dizenjimi i Berisha.

Po ashtu ai foli edhe për largimin e tij nga Shqipëria dhe zëvendësimin nga Nick Abbott, i cili u emërua si Ambasadori i ri i Britanisë në Tiranë.

Ndër të tjera ambasadori zbuloi planet e tij për t’u rikthyer sërish në Shqipëri, por për pushime. Pjesë nga intervista: Flasim pak edhe për përjetime personale, po e nis nga ato të vështirat. Sigurisht që akti historik i dizenjimit të një lideri po historik të Shqipërisë si non grata në Britani do të sillte një efekt domino, një tërmet të vogël, në Tiranë aq më tepër që bëhet fjalë për z. Berisha që duhet thënë pavarësisht gjithçkaje, historia do ta përcaktojë çfarë vendi ai do të zërë, por ai e ka vendin e tij në histori. Ju ndërkohë për shkak të kësaj, ju vetë u përballët me një valë të pazakontë të sulmeve ndaj një ambasadori të Britanisë në Tiranë. Pra, këtu nuk e di për çfarë arsye PD dhe Sali Berisha gjithmonë kanë përfunduar raportet në mënyrë negative me çdo ambasador amerikan këto 30 vitet e fundit, por pas reformës në drejtësi këtë fat e kanë pasur të gjithë ambasadorët e BE, por ju jeni i pari ambasador britanik, po ua jap unë këtë ‘dekoratë’, jeni ambasadori britanik më i sulmuar ndonjëherë në historinë e raporteve mes dy vendeve pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Si e keni përjetuar këtë.

Smith: Normalisht kjo është çështje që vjen si rezultat i veprimeve të ndërmarra nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe nuk është diçka që e bëj unë personalisht. Unë përfaqësoj Mbretërinë e Bashkuar, ndërkohë që siç thashë vendimet merren në nivelet më të larta qeveritare. Por, normalisht që krijohet një lidhje në këtë kuadër. Megjithatë, unë do të doja të shkonim përtej përqendrimit tek individi dhe të përqendrohemi tek interesi i shqiptarëve. Unë jam përpjekur të veproj kështu dhe nuk kam lejuar që këto çështje të na devijojnë nga kursi ynë. Jam përqendruar në punën për mundësimin e investimeve në vend, po sjellim edhe partneritetet tona universitare më të mira në Shqipëri, dhe një prej tyre do të paraqitet këtë javë. Jam me të vërtetë i lumtur që po shtojmë lidhjet. Përmenda shkëmbimet turistike, por po shohim edhe shumë sipërmarrës shqiptaro-britanikë që po japin kontribut në shoqërinë britanike. Marrëdhëniet qeveritare janë të shkëlqyera dhe do të vijojnë të zhvillohen dhe rriten. Pra, ne do të vijojmë partneritetin tonë me qeverinë, me institucionet e tjera si gjyqësorin, me strukturat e mbrojtjes, ndërmjet popujve, universiteteve dhe në fusha të tjera. Ky është synimi im si ambasador britanik, dhe e di që edhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar do të vijojë të veprojë po kështu.

Ambasador e përmendëm gjatë këtyre minutave që ka patur shumë ngjarje në Shqipëri, por edhe në Britani. Zgjedhje në Shqipëri, në Britani, vdekja e Mbretëreshë Elizabet dhe kurorëzimi i Mbretit Karl, marrëveshja për emigracionin, dizenjimi i z.Berisha cila nga këto ngjarje ju ka përfshirë më shumë, do mbetet në mendjen tuaj dhe do thoni kjo ishte ngjarja që shënjoi tre vitet e mia si diplomat.

Smith: Ke të drejtë, që gjatë periudhës time këtu kam përjetuar një sërë momentesh emocionale. Kur Madhëria e Saj, Mbretëresha, ndërroi jetë, u preka realisht nga numri i madh i shqiptarëve që erdhën të bënin homazhe në Ambasadën Britanike. Nuk e prisja këtë. Shqipëria nuk është vend i Komonuelthit; dhe nuk kishte pasur atë marrëdhënie të fortë prej shekujsh …. Ndoshta duhet të na pyesni. Ndoshta duam të jemi Smith: Saktë, dhe shumë prej jush kanë lidhje fantastike me Mbreterine e Bashkuar. Këtë e pashë gjatë këtyre momenteve dhe ishte prekëse të shihja respektin e bërë. Gjithashtu u emocionova me mbështetjen për Kurorëzimin e Madhërisë së Tij. Siç thashë, mu bë shumë qejfi kur ai përshëndeti udhëheqësit evropianë në Londër në kuadër të Komunitetit Politik Evropian. Pra gjatë kësaj periudhe ka pasur momente të veçanta. Por personalisht, dhe kjo lidhet me ato që diskutuam në fillim të intervistës, është realisht mbresëlënëse të shoh ndryshimet për të rinjtë në këtë vend. Jam shumë krenar që pata mundësi të ngre projekte dhe programe që tani po ndikojnë në jetën e qindra dhe mbase mijëra individëve, veçanërisht në veri të vendit, dhe jo vetëm. Megjithëse mendoj se nuk kemi mbaruar ende dhe ka shumë punë përpara nesh, jam shumë i lumtur që këto janë realizuar. Gjithashtu, jam i lumtur që të gjitha këto do të vazhdojnë, sepse këto elemente janë të përcaktuara në kuadër të marrëdhënies tone për të ardhmen.

Meqë ra fjala te vazhdimësia, cili do t’ju zëvendësojë në Tiranë?

Smith: Mund të keni parë njoftimin zyrtar më herët këtë muaj. Faktikisht ambasadori i ri, Nicholas Abbott, ka shumë përvojë në rajon si ish ambasador britanik në Kosovë. Nicholas dhe unë kemi punuar bashkë për shumë vite dhe jam shumë i lumtur që ai do të marrë postin nga unë, sepse jam i sigurt që ju do të keni një Ambasador Britanik shumë të mirë që do të vijojë punën me këto nisma, dhe që me siguri do të krijojë të tjera, të cilat do të përforcojnë partneritetin dhe atë që unë e shoh si miqësinë e vërtetë mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Cila është faza tjetër e karrierës tuaj, pas Tiranës?

Smith: Pasi të përfundoj punën këtu, do të marr detyrë tjetër diplomatike, fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar. Një prej problemeve të të qenit në Shqipëri, megjithëse jam kënaqur shumë, është se familja ime është në Londër dhe në vende të tjera të Britanisë, kështu që mezi po pres të qëndroj për pak kohë me ta. Dhe më pas, duke qenë se më pëlqeu puna si ambasador dhe ishte përvojë e vyer, mbase do të kem mundësi t’i përdor këto përvoja në detyra të tjera edhe jashtë vendit. Por ju do të ktheheni në Shqipëri, besoj

Smith: Siç thashë, dhe besoj nuk është e habitshme, që kam bërë shumë miqësi këtu në Shqipëri për shkak të mikpritjes dhe miqësisë shumë të mirë të shpalosur nga shqiptarët ndaj të tjerëve. Më ka pëlqyer shumë vendi dhe kam shumë miq, kështu që do të kthehem patjetër për pushime. Pastaj detyrat zyrtare janë diçka që i mbeten të ardhmes.

Dhe meqë ra fjala te e ardhmja, mendoni që kur të vini ju në Shqipëri, do të jetë akoma Edi Rama kryeministër?

Smith: Jam i sigurt që po, sepse udhëtimi im i radhës do të jetë përpara fundit të vitit, megjithëse jashtë detyrës. Por shpresoj që në vizitat e ardhshme, së bashku me turistët dhe vizitorët britanikë në të ardhmen, të shohim progresin pozitiv të Shqipërisë. Dhe unë realisht besoj se do të keni gjithmonë e më shumë britanikë që vijnë këtu, dhe mbase unë vetë do të gjej mënyra jo zyrtare për të mbështetur më tej miqësinë mes Shqipërisë dhe Britanisë.

Alastair King-Smith ishte kënaqësi t’ju kisha sonte në program, kënaqësi t’ju njihja gjatë këtyre tre viteve, këtu në Tiranë, ishte kënaqësi dhe nder t’ju kishim dhe ambasador të Mbretërisë së Bashkuar, por gjithashtu edhe një mbrojtës shumë të fortë të interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Smith: Sokol, faleminderit shumë, dhe faleminderit që më keni ndihmuar të orientohem në disa prej këtyre çështjeve interesante. Por dua ta mbyll me një mesazh për qytetarët shqiptarë, sepse një nga gjërat që kam vënë re gjatë tre viteve të fundit është se këtu ka shumë talente, krijimtari dhe imagjinatë dhe dua t’i inkurajoj të gjithë t’i përdorin ato dhe të veprojnë sipas asaj shprehjes që thotë: Bëhu ndryshimi që dëshiron të shohësh. Kështu, që dua t’i inkurajoj të gjithë të bëhen pjesë dhe të arrijnë këtë ndryshim, sepse nëse përdorin talentet e tyre, shqiptarët do ta bëjnë këtë vend një vend fantastik jo vetëm për ata që duan të jetojnë dhe të punojnë këtu, por edhe si vend që jep kontribut në botë. Këto që them i kam parë vetë gjatë tre viteve të fundit. Ishte kënaqësi të isha pjesë e këtij progresi dhe shpresoj që ky ritëm rritjeje të vazhdojë për shumë vite në të ardhmen./abcnews.al



Skip to toolbar