Vera Nikulaj, bashkëshortja e të ndjerit Ardian Nikulaj, ka folur për tabloidin britanik “Daily Mail” ku ka treguar se si britanikët e përfshirë në vrasjen e bashkëshortit, i pritën si turistë në hotel dhe i qerasën.
Ajo ka thënë se për shkak të gjakmarrjes ishin të kujdesshëm dhe ruheshin ndaj kërcënimeve, por nuk dyshuan asnjëherë se anglezët do të përfshiheshin në këtë atentat.
Vera tregon se në restorantin e hotelit të familjes Nikulaj pa fillimisht Harriet Bridgeman, nënë e një djali të vogël.
“Ajo vazhdimisht bënte kontakt me sy me Ardianin. I thashë, unë flas anglisht, si mund të të ndihmoj. Ajo kërkoi të merrte me qira një makinë dhe Ardiani ia rregulloi këtë punë”.
Të nesërmen, familja Nikulaj drekoi në restorant dhe tavolina e tyre ishte ngjitur me atë të Bridgeman, ku i pranishëm ishte dhe një nga të akuzuarit e tjerë britanikë.
“Ajo donte të paguante me kartë krediti, por nuk po funksiononte. Ardiani i tha kamarierit që mos u shqetëso se do t’i paguaj unë. Ata erdhën tek ne, falenderuan Ardianin që u pagoi drekën”, vijon rrëfimin Vera.
Djali i çiftit Nikulaj kishte qëndruar së bashku edhe me djalin e Harriet Bridgeman e cila u përfshi në vrasje ku kishte rol vëzhgimi.
Ndërsa ekzekutori, portugezi Ruben Saraiva, ishte parë nga disa fëmijë vendas duke përgjuar pranë vendit të krimit disa ditë më parë.
Fëmijët thanë se kishin parë një burrë të çuditshëm, u shprehën për “Daily Mail” të afërmit e Nikulajt.
Sot, një gjykatë në Britaninë e Madhe i ka hapur dritën jeshile ekstradimit të 4 prej 5 të arrestuarve për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Prill të vitit të kaluar në Shëngjin. Kështu, u vendos ekstradimi në Shqipëri për Edmond Haxhinë që akuzohet si organizator dhe financues, Thomas Mithan, Harry Simpson dhe Harriet Bridgeman. Vendim nuk u mor për Steven Hunt i cili është diagnostikuar me sëmundje të rëndë.