Osmani, e ashpër me Kurtin e Gërvallën: E prishën “dasmën” në prag të anëtarësimit në KiE

KOSOVA


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për “Kallxo” të dielën, duke folur për dështimin e institucioneve në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës (KiE), ka thënë se Qeveria e Kosovës ka prishur “dasmën” në prag të kurorëzimit të kësaj ngjarjeje madhore për vendin, ndërsa ka përmendur veçanërisht letrën e shefes së diplomacisë kosovare.

Osmani, në pyetjen se kush ka prishur punë – kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, apo shefja e diplomacisë, Donika Gërvalla Schwarz – është përgjigjur shkurt duke thënë “Qeveria e Republikës së Kosovës” derisa ka fajësuar Kurtin e Gërvallën për moskoordinim rreth procesit të anëtarësimit në KiE.

“Dihet kush e ka ofruar asociacionin 5 minuta në 12… letra është dërguar në emër të Qeverisë së Kosovës”, ka thënë shefja e shtetit, duke refuzuar të përmendë emra të përveçëm. “Nuk ka qenë metodë e mirë. Nuk ka qenë rrugë e mirë mënyra e propozimit të asociacionit në momentin e fundit.

Unë kam qenë në Kosovë kur ka ndodhur kjo punë. Askush nuk ka provuar të më thërrasë, as të më njoftojë. Pastaj janë mburrë me këtë qasje që s’e kanë konsultuar presidenten e Republikës së Kosovës”, ka shtuar ndër të tjera ajo.

Ndryshe, kërkesa e Kosovës për t’iu bashkuar KiE-së nuk është marrë parasysh në maj, pavarësisht letërzotimit të qeverisë para vendimmarrjes, kryesisht për shkak se Gjermania, Franca dhe Italia, kanë kërkuar hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.



Skip to toolbar