Gjeorgjia konsiderohet rivali më i lehtë i mundshëm për Shqipërinë, por Europiani dhe sfida e parë në këtë edicion vërteton të kundërtën. Gjeorgjianët nuk kanë qenë kurrë një kundërshtarë komod për Shqipërinë.
Këtë e vërtetojnë edhe statistikat pasi në 16 përballje kemi fituar vetëm 3 herë, ndërsa 9 fitore kanë shkuar për Gjeorgjinë dhe 4 takime kanë përfunduar në barazim. Fatsjellëse janë sfidat e zhvilluara në vendin tonë, pasi të tre fitoret kuqezi janë koleksionuar në përballjet e Tiranës. Por këtë herë, dueli luhet në Tbilisi që është shndërruar në tabu për kuqezinjtë.
Edhe bilanci i golave flet në favor të kundërshtarëve të sotëm. Në portën kuqezi janë realizuar 24 gola, kundrejt 13 të Shqipërisë. Pas tre xhirove takimeve të para, Gjeorgjia kryeson me 6 pikë, ndërsa kombëtarja jonë numëron 3 pikë.
Pra, ‘djemtë’ e Sylvinhos nuk do të zbresin në fushë jo vetëm për fitore, por edhe për të përmirësuar statistikat. Një ndeshje në të cilën Gjeorgjia duket paksa më e favorizuar, pas asaj fitoreje me Çekinë. Gjithsesi me brazilianin në stol, kuqezinjtë kanë arritur të thyejnë rekorde dhe mposhtin kundërshtarë që nuk ndodhte prej shumë vitesh.