Një komision i pavarur që hetoi atentatin ndaj ish Presidentit Donald Trump në një tubim zgjedhor në Pensilvani fajësoi Shërbimin Sekret për komunikim të dobët atë ditë dhe se nuk siguroi ndërtesën prej nga qëlloi i armatosuri. Raporti i komisionit njofton gjithashtu probleme më sistematike në agjenci, si dështimi për të kuptuar rreziqet unike me të cilat përballet ish Presidenti Trump dhe një kulturë pune që kërkon të bësh ‘më shumë me më pak’.
Raporti prej 52 faqesh i publikuar të enjten e fajëson Shërbimin Sekret për probleme konkrete që çuan në ngjarjet e 13 korrikut në tubimin zgjedhor në qytetin Butler. Në raport rekomandohet emërimi i një drejtuesi të ri nga jashtë shërbimit dhe forcimi i misionit të tij mbrojtës.
“Shërbimi Sekret ka nevojë themelore për reformë që të përmbushë misionin e tij”, thanë autorët e raportit në letrën që i dërguan Sekretarit të Sigurisë Kombëtare Alejandro Mayorkas, agjencisë që mbikqyr Shërbimin Sekret, së bashku me tekstin e raportit.
“Pa reformë, Komisioni i Pavarur beson se një tjetër incident si ai në Butler mund dhe do të ndodhë përsëri”.
Një pjesëmarrës në tubimin në Butler më 13 korrik u vra dhe dy të tjerë u plagosën kur Thomas Michael Crooks u ngjit në çatinë e një ndërtese aty pranë dhe hapi zjarr ndërsa ish Presidenti Trump mbante fjalim. Ish-presidenti u plagos në vesh para se të nxirrej nga skena nga agjentët e Shërbimit Sekret. Ky rast dhe rasti i dytë kur një person i armatosur u arrestua pranë një fushe golfi me dyshimin se bëri përpjekje për të vrarë ish Presidentin, i cili në ato momente luante golf, ka çuar në një krizë besimi në agjenci.
Raporti prej katër ish-zyrtarësh të zbatimit të ligjit nga qeveria kombëtare dhe shtetërore pason hetimet nga ligjvënësit, hetimin e vetë agjencisë dhe nga organi mbikëqyrës i Sigurisë Kombëtare.
Komisioni i bëri jehonë raporteve të mëparshme që kanë theksuar dështimin e Shërbimit Sekret për të siguruar ndërtesën pranë tubimit ku mbante fjalim ish Presidenti Trump dhe problemet e shumta të komunikimit që penguan anëtarët e Shërbimit Sekret dhe të zbatimit të ligjit lokal dhe shtetëror për të komunikuar me njëri-tjetrin.
“Dështimi për të siguruar një kompleks ndërtesash, një pjesë e të cilave ishin mbi 118 metra larg personit që mbrohej (ish Presidenti Trump) paraqet një dështim kritik të sigurisë”, thuhet në raport.
Komisioni fajësoi planifikimin e masave të sigurisë të Shërbimit Sekret dhe agjencive lokale të rendit dhe tha se Shërbimi Sekret nuk pyeti se çfarë po bëhej për të siguruar ndërtesën: “Të mbështetesh në atë se ‘agjencitë lokale e kanë siguruar atë zonë’ thjesht nuk është e mjaftueshme dhe në Butler kjo çoi në dështim”.
Kishte edhe probleme të tjera komunikimi.
Raporti thotë se Shërbimi Sekret duhej të ndërronte kanalet e radios sepse komunikimet radiofonike të agjentëve që mbronin zonjën e parë Jill Biden në një ngjarje që mbahej në Pittsburgh, në të njëjtin shtet, Pensilvani, po ndërhynin në kanalet e agjentëve që mbulonin mitingun e zotit Trump në Butler.
Komisioni gjithashtu vuri në dukje se i gjithë personeli i zbatimit të ligjit në terren përdorte një “përzierje kaotike” të radios, telefonit celular, mesazheve telefonike dhe postës elektronike, gjatë gjithë ditës, për të komunikuar.
Komisioni gjithashtu tha se ishte e paqartë se kush kishte komandën përfundimtare atë ditë.
Raporti po ashtu thotë se masat shtesë të sigurisë të marra për të mbrojtur zotin Trump, pas atentatit në Butler duhet të ishin marrë më parë.
Komisioni përmes raportit të tij gjithashtu foli për mungesën e përvojës të atyre që ishin angazhuar për të ofruar mbrojtje për ish Presidentin në Butler. Një nga agjentët e angazhuar ishte diplomuar nga akademia e Shërbimit Sekret në vitin 2020.
Përpara tubimit në Butler agjenti kishte patur vetëm “angazhime minimale të mëparshme në parapërgatitjet për siguri”.
Një agjent tjetër i caktuar për të operuar një sistem zbulimi të dronëve e kishte përdorur teknologjinë për të kryer punën e tij vetëm në dy aktivitete të mëparshme.
Çfarë rekomandoi Komisioni?
Raporti sugjeroi se krijuar duhet një post komandimi i unifikuar në të gjitha aktivitetet e mëdha ku Shërbimi Sekret dhe përfaqësues të tjerë të zbatimit të ligjit janë të gjithë fizikisht në të njëjtin vend dhe të ketë më humë trajnime se si të largohen zyrtarët që janë nën mbrojtje nga skenarët e rrezikshëm.
Komisioni tha se agjencia gjithashtu ka nevojë për një udhëheqës të ri që të emërohet nga jashtë shërbimit. Komisioni shprehu skepticizëm nëse agjencia duhet të vazhdojë me hetimet që kryen aktualisht. Ndërsa Shërbimi Sekret dihet se ofron mbrojtje për presidentët dhe personalitetet e tjera, ai gjithashtu heton krimet financiare.
Anëtarët e Komisionit ishin Mark Filip, zëvendësprokuror i përgjithshëm nën Presidentin George W. Bush; David Mitchell, i cili shërbeu në role të shumta shtetërore dhe lokale të zbatimit të ligjit në Merilend dhe Delauer; Janet Napolitano, sekretare e sigurisë së brendshme nën Presidentin Barack Obama; dhe Frances Fragos Townsend, asistentja e Presidentit Bush për sigurinë e vendit dhe kundër terrorizmit.