Gjatë një interviste për Real Story, Pedagogu Klementin Mile deklaroi se protestat e opozitës kanë përsëritur të njëjtin skenar dhe nuk kanë arritur ta vendosin qeverinë në vështirësi politike.
Sipas tij, mungesa e strategjisë dhe përsëritja e deklaratave maksimaliste kanë sjellë lodhje dhe zhgënjim te mbështetësit, ndërsa energjia politike është konsumuar pa u zgjeruar elektorati.
“Kemi parë 8 protesta që kanë përsëritur të njëjtin skenar dhe s’e kanë vënë në pozitë të vështirë qeverinë, pra s’kanë qenë strategjike. S’e kemi parë Edi Ramës t’i prishej gjumi, madje ka vijuar itinerarin e vet. Pa përfshirë edhe foltoret, mobilizimi ka qenë i vazhdueshëm bashkë me konferencat.
Sot kemi një lloj entropie, konsumimi; kur energjia nuk akumulohet, tenton të shpenzohet. Objektivi maksimalisht i PD do të duhej të ishte të zgjerohej. Në protestë nuk zgjerohesh kurrë; zgjerimi fillon me shpresë, jo me denoncime. Gjithmonë përsëritet i njëjti skenar: lodhje, zhgënjim dhe shohim në fund gjithmonë deklarata maksimaliste të Berishës. Kemi një lloj dështimi strategjik të kësaj arme; edhe nëse do zgjerohej, duhet të mbash ata që ke.”
