12 persona janë arrestuar nga policia në orët e para të mëngjesit së të shtunës në qytetin e Dibrës dhe 39 të tjerë janë shpallur në kërkim policor pas sulmit ndaj forcave të rendit mbrëmjen e së premtes, duke tentuar të futen me dhunë në KZAZ nr. 19 në palestrën e shkollës së mesme ‘Nazmi Rushiti’.
Militantët e Partisë Demokratike kanë protestuar përpara komisariatit të policisë për të kërkuar lirimin e tyre.
Ndërkohë, forca të shumta policie janë vënë në ruajtje të KZAZ ku ndodhi sulmi i djeshëm për të shmangur ndonjë incident të mundshëm.
Sipas informacioneve paraprake numri i të arrestuarve po vjen në rritje. Ndërkohë forca të shumta policie kanë rrethuar KZAZ nr. 19. Nga ana tjetër mbështetës të Partisë Demokratike Dibër po protestojnë para policisë për lirimin e personave të shoqëruar.
Nga protesta e të premtes mbetën të plagosur 15 persona, mes të cilëve 6 efektivë policie. Militantët e PD sulmuan policinë dhe KZAZ-në numër 19 në qytetin e Dibrës, që ndodhet në palestrën e shkollës së mesme “Nazmi Rushiti”. Militantet e PD-se pas protestës në rrugët e qytetit kanë sulmuar efektivët duke detyruar policinë që të hedhë gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Në krye të protestuesve ndodhej ish deputeti i PD-së, Xhemal Gjunkshi. Protestuesit kanë gjuajtur me kapsolla dhe molotov në drejtim të policisë duke rrezikuar jetën e tyre.
Njoftimi i Policisë pë arrestimet në Dibër
Policia e Dibrës ka arrestuar 12 persona, 39 të tjerë janë shpallur në kërkim, si të dyshuar për sulmin ndaj KZAZ nr. 19, në qytetin e Peshkopisë
Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 28 Qershor 2019 rreth orës 21.00, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë, janë grumbulluar pranë KZAZ Nr. 19, e cila ndodhet në ambientet e palestrës së shkollës “Nazmi Rushiti” në qytetin e Peshkopisë.
Protestuesit kanë përdorur sende të forta, kapsolla dhe bomba molotov në drejtim të KZAZ-s, si dhe në drejtim të punonjësve të Policisë që ishin të vendosur me shërbim.
Policia ka arrestuar në flagrancë 12 shtetas, konkretisht:
• K. U., 29 vjeç, banues në fshatin Pollazhan
• M.Gj, 29 vjeç, banues në fshatin Ushtelenxë
• A.K, 55 vjeç, banues në fshatin Kandërr
• F. V., 54 vjeç, banues në Peshkopi
• A. K., 23 vjeç, banues në fshatin Kandër
• E.K., 25 vjeç, banues në fshatin Kandër
• J. K., 31 vjeç, banues në fshatin Kandër
• I. K., 52 vjeç , banues në fshatin Kandër
• O. Z., 32 vjeç, banues në fshatin Ushtelenxë
• E. B., 32 vjeç, banues në fshatin Kandër
• L.Z., 42 vjeç, banues në fshatin Ushtelenxë
• A. B., 61 vjeç, banues në fshatin Rashnapojë.
Për këtë ngjarje, janë shpallur në kërkim edhe 39 shtetas të tjerë.
Materialet procedurale në ngarkim të autorëve të sulmit i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Dibër, për veprat penale: ‘’Shkatërrimi i pronës me zjarr’’, ’’Kundërshtimi me dhune i punonjësve të policisë rendit publik’’ dhe ‘’Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, parashikuar nga neni 151/2, dënimi nga 5 deri në 15 vjet, Neni 236/2 dënimi me gjobë, ose burg deri në 7 vjet dhe Neni 326/a dënimi me burg nga 6 muaj deri ne 5 vjet.
Policia e Dibrës nën drejtimin e Prokurorisë po vijon veprimet për të zbardhur rolin dhe aktivitetin e tyre apo personave të tjerë të implikuar.
Policia e Shtetit siguron qytetarët se është tërësisht e angazhuar dhe ka marrë të gjitha masat për të garantuar procesin zgjedhor, duke goditur me ashpërsinë e forcës së ligjit çdo individ që përfshihet në aktivitet kriminal.