Respekti i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për sistemin e drejtësisë në vend është treguar me mosparaqitjen e tij këtë të hënë në Prokurorinë Speciale.
Ai kishte detyrim të paraqitej në orën 9.30 minuta, një detyrim ligjor të cilin kryeministri Kurti e shkeli, me arsyetimin se ndodhet në udhëtim jashtë vendit.
Mosprezenca e tij është njoftuar nga Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi.
Zëdhënësja ka shpjeguar se cilat do të jenë hapat e mëtejshëm, duke saktësuar se Prokuroria Speciale do të përgatis një thirrje tjetër për “një datë tjetër konform legjislacionit në fuqi”.
Gjithesesi zëdhënsja e Prokurorise Speciale është treguar e butë me kreun e ekzekutivit.
E pyetur nëse do të caktohet një gjobë për mosparaqitjen e tij, kjo e fundit ka deklaruar se një veprim i tillë nuk do të ndërmerret, përsa kohë kjo prokurori po përgatit një tjetër thirrje për Kryeministrin.
Data kur do të dërgohet ftesa e re ende nuk dihet.
Më herët, Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu lidhur me këtë çështje ka reaguar në facebook duke shtuar se përmes këtij veprimi përmes sistemit të drejtësisë po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të shkurtit.
Albin Kurti është thirrur nga prokuroria speciale për të dëshmuar në lidhje me rastin e rezervave shtetërore, në të cilin është e implikuar edhe ministrja e tij e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdari.
Në gusht të vitit të kaluar, disa persona janë arrestuar nën dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore. Në mesin e të arrestuarve kishte edhe punonjës të kesaj ministrie.
Gjatë kësaj kohe Kurti i ka dalë në mbrojtje ministres Hajdari, ndërsa pyetur sëfundmi nga gazetarët për këtë zhvillim, Kurti nuk ka pranuar të prononcohet, me kujdesin e një kryeministri për të mbuluar skandalet e qeverisë së tij më pak se dy muaj përpara zgjedhjeve.