BE zotohet se do të mbrojë interesat e saj, Trump: Tarifat për Groenlandën do t’i zbatoj 100%

BOTA


Donald Trump ka deklaruar se do ta zbatojë “100%” kërcënimin për vendosjen e tarifave ndaj vendeve evropiane që kundërshtojnë kërkesën e tij për të marrë kontrollin e Groenlandës. Deklarata e presidentit amerikan vjen në një moment kur aleatët evropianë janë rreshtuar hapur në mbrojtje të sovranitetit të Groenlandës.

Ministri i Jashtëm i Danimarkës theksoi se presidenti i SHBA-ve nuk mund të kërcënojë për të fituar pronësinë e territorit gjysmë-autonom danez. Ndërkohë, ministrja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, përsëriti qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar se e ardhmja e Groenlandës është çështje që u takon “vetëm groenlandezëve dhe danezëve”.

Të hënën, Trump nuk përjashtoi përdorimin e forcës dhe këmbënguli se do të ecë përpara me tarifat e kërcënuara ndaj mallrave që hyjnë në SHBA nga Britania e Madhe dhe shtatë vende të tjera aleate të NATO-s. Në një postim në Truth Social, presidenti amerikan tha se kishte zhvilluar një “telefonatë shumë të mirë” me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe se ishte rënë dakord për një takim “me palë të ndryshme” në Zvicër gjatë kësaj jave.

Groenlanda është thelbësore për sigurinë kombëtare dhe botërore. Nuk ka kthim pas, për këtë të gjithë bien dakord”, shkroi Trump.

Trump ka deklaruar se do të vendosë një tarifë 10% për “çdo mall” që Britania e Madhe eksporton në SHBA nga 1 shkurti, duke e rritur në 25% nga 1 qershori, deri sa të arrihet një marrëveshje për blerjen e Groenlandës nga Danimarka. E njëjta masë do të aplikohej edhe për Danimarkën, Norvegjinë, Suedinë, Francën, Gjermaninë, Holandën dhe Finlandën, të gjitha anëtare të NATO-s.

I pyetur nga NBC News nëse do ta zbatojë realisht kërcënimin për tarifat, Trump u përgjigj shkurt: “Po, 100%”.

Kur u pyet nëse do të përdorte forcën për të marrë territorin, ai tha: “Pa koment”.

“Evropa duhet të përqendrohet te lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, sepse sinqerisht, shihni ku i ka çuar kjo… Kjo është ajo me të cilën duhet të merret Evropa, jo Groenlanda”, shtoi Trump.

Danimarka ka paralajmëruar se çdo veprim ushtarak amerikan në Groenlandë do të nënkuptonte fundin e NATO-s. Ditët e fundit, Groenlanda ka marrë mbështetje nga disa vende evropiane të aleancës, disa prej të cilave kanë dërguar simbolikisht trupa në territor.

Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, tha se Evropa duhet t’i tregojë Trump-it se kërcënimet me tarifa “nuk janë rruga e duhur përpara”. “Kemi vija të kuqe që nuk mund të kapërcehen. Nuk mund të kërcënosh për të marrë pronësinë e Groenlandës”, u shpreh ai.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, deklaroi se tarifat nuk i shërbejnë askujt dhe shpreson të takohet me Trump gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

“Ne nuk e duam këtë përshkallëzim. Nuk duam një konflikt tregtar me Shtetet e Bashkuara”, tha Merz.

Bashkimi Evropian do të mbajë të enjten një samit urgjent në Bruksel, ku liderët do të diskutojnë reagimin ndaj kërcënimeve të fundit të Trump për Groenlandën. Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas, u shpreh se blloku “nuk ka interes të hapë një konflikt, por do të mbrojë pozicionet e tij”, duke shtuar se “sovraniteti nuk është objekt tregtie”.

Ndërkohë, janë publikuar edhe mesazhe mes Trump dhe kryeministrit norvegjez Jonas Gahr Støre, ku presidenti amerikan fajëson Norvegjinë pse nuk ka marrë Çmimin Nobel për Paqen. Støre sqaroi se çmimi jepet nga një komitet i pavarur dhe riafirmoi mbështetjen e plotë të Norvegjisë për Danimarkën dhe sovranitetin e Groenlandës.

Në të njëjtën kohë, Komanda e Mbrojtjes Ajrore të Amerikës së Veriut (Norad) njoftoi se disa avionë janë nisur drejt bazës Pituffik në Groenlandë, si pjesë e një operacioni rutinë të planifikuar më herët, i koordinuar me Danimarkën dhe i njoftuar edhe qeverisë së Groenlandës.



Skip to toolbar