Kryeministri Edi Rama ka uruar Kosovën me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë. Ai ka postuar në rrjetet sociale, një fotoalbum nga vizita e tij një ditë më parë në Prishtinë.
Më tej, ai shpreh keqardhjen që nuk mund të jetë i pranishëm në protestën që do të zhvillohet në solidaritet të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Kreu i qeverisë i konsideron ata pengje të padrejtësisë ndërkombëtare.
“I uroj Kosovës gëzuar pavarësinë me keqardhjen që s’mund të jem sot në manifestimin popullor të solidaritetit me katër pengjet e UÇK-së në ferrin e (pa)drejtësisë ndërkombëtare në Hagë”, shkroi Rama.
Republika e Kosovës feston sot 18-vjetorin e Pavarësisë. Por ndërkohë në Hagë vijon gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Prokuroria Speciale ka kërkuar 180 vite burg në total për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin (nga 45 vite secili). Njëkohësisht në mbështetje të ish-krerëve, sot në orën 14:00 në Prishtinë, platforma “Liria ka Emër” ka thirrur një protestë ku do të marrin pjesë edhe figura të larta shtetërore.
