“Drejtësi, jo politikë”, mijëra qytetarë në Prishtinë tubim në mbështetje të UÇK. Osmani, Balla e Ahmeti të pranishëm

KOSOVA


Mijëra qytetarë janë mbledhur sot në Prishtinë për të marshuar në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj të cilëve Prokuroria Speciale në Hagë ka kërkuar gjithsej 180 vite burgim.

Marshimi me moton “Drejtësi, jo politikë”, i organizuar në sheshin “Skënderbeu”, ka bërë bashkë qytetarë nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora. Pjesëmarrësit kërkojnë drejtësi për katër ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, të cilët po përballen me proces gjyqësor në Hagë.

Tubimit i janë bashkuar dhe krerë të shtetit të Kosovës dhe figura të njohura politike, mes tyre presidentja Vjosa Osmani, lideri i BDI-së Ali Ahmeti, si dhe kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla. Mes protestuesve ndodhet edhe djali i ish-presidentit Thaçi.

Gjatë marshimit, turma ka brohoritur njëzëri “UÇK” dhe “Drejtësi për UÇK-në”, ndërsa atmosfera është shoqëruar me simbole kombëtare dhe pankarta mbështetëse.

Në podium është ngjitur edhe reperi i njohur Lyrical Son (Festim Arifi), pjesë e platformës “Liria ka Emër”, i cili mes emocionesh ka hapur marshimin me një këngë patriotike. Nuk ka munguar dhe performanca me 3 breza e Ilir Shaqirit, djalit të tij Korabit dhe nipit.

Tubimi vjen në një moment të ndjeshëm të procesit gjyqësor në Hagë, ndërsa mbështetësit e ish-krerëve të UÇK-së e cilësojnë atë si të padrejtë dhe me sfond politik.



Skip to toolbar