Kryeministri Edi Rama do të mbledhë sot, 28 mars, grupin parlamentar të Partisë Socialiste.
Takimi do të nisë në orën 11:00 dhe do të mbahet te Pallati i Brigadave.
Në fokus të këtij takimi do të jetë strategjia parlamentare socialiste, me epiqendër çështjen prioritare të qeverisë Rama, atë të integrimit të Shqipërisë në BE.
Mësohet se fjala hapëse do të mbahet nga kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla.
Ndërkohë pas tij do të mbajë fjalën kryeministri i vendit Edi Rama. Më pas do të ketë raportime nga eksponentë të lartë zyrtarë, në PS. Pritet që të raportojë drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli. Më tej, do raportojë Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku.
Pas raportimeve kryeministri Rama do të bëjë një përmbledhje të gjithë asaj që u fol në mbledhje dhe më pas do të jetë sërish fjala e Taulant Ballës për të bërë përmbylljen e mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS.
Kjo është mbledhja e parë e përbashkët e qeverisë dhe grupit parlamentar, pas Asamblesë Kombëtare Socialiste, të shtunën e kaluar në Durrës, ku kryeministri Edi Rama njoftoi një sërë ndryshimesh, që prekën drejtuesit politikë të gjashtë qarqeve, në kuadër të zgjedhjeve lokale të 2027-ës.
