Banorët e Himarës kanë përjetuar një natë të vështirë dhe plot ankth, teksa flakët janë përhapur me shpejtësi pranë banesave dhe strukturave akomoduese.
Era e fortë ka favorizuar përhapjen e zjarrit, duke shtuar panikun mes banorëve dhe turistëve. Disa familje janë detyruar të largohen nga banesat, ndërsa turistët janë evakuuar drejt zonave më të sigurta.
Një prej banoreve, Gentara Ramaj, tregon momentet e frikshme kur flakët iu afruan shtëpisë së saj.
“Situata për momentin, me çezmat në dorë, po i stabilizojmë. Por, sapo fikin çezmat, pemët marrin flakë direkt. Sa fryn pak erë, marrin flakë menjëherë. Na erdhi nga lart, na erdhi këtu. Mezi kemi ikur me makinë. Na ka ardhur direkt flaka, brenda sekondash. Mezi kemi shpëtuar, mezi kemi shpëtuar. Ja, kjo është shtëpia ime.”
Sipas saj, flakët kanë përfshirë ullinjtë pranë banesës, ndërsa familja është detyruar të largohet me shpejtësi.
“U dogjën komplet ullinjtë për momentin, sepse arritëm dhe lamë… Llastiqet i lamë hapur, u vaditën të gjitha. Për 10 minuta i kemi vaditur të gjitha, edhe ikëm për të marrë makinat dhe u zhdukëm të gjithë nga shtëpia.”
Ramaj tregon se zjarri ka ardhur nga pjesa e sipërme dhe se përhapja ka qenë tepër e shpejtë.
“Erdhi nga lart zjarri. Erdhi nga lart.”
Ajo thotë se nuk ka mundur të shohë nga afër situatën me zjarrfikësit, pasi është larguar për të shpëtuar nga flakët, ndërsa thekson vështirësinë e përballimit të situatës.
“Nuk e di çfarë ka ndodhur, se unë në ato momente ika, u zhduka. Por asnjë zjarrfikëse… Janë ulur edhe ata, atje janë lodhur. Nuk kanë faj as ata, se nuk mund ta përballojnë dot, sepse zjarri erdhi brenda sekondash. Erdhi, domethënë, për tre sekonda ishte zjarri këtu.”
Banorja tregon gjithashtu se dëmet janë të konsiderueshme dhe se në zonën e sipërme janë raportuar edhe banesa të përfshira nga flakët.
“Janë djegur komplet, komplet ullinjtë lart. Më lajmëruan edhe kushërinjtë e mi lart, që po digjen shtëpitë. Lart janë djegur dy-tre shtëpi. Inshallah shpëtojnë, se janë fëmijët dhe akoma janë me çezmat në dorë, duke luftuar të shkretët lart.”
Sipas Ramajt, zjarri është konstatuar rreth orës 19:30-20:00, ndërsa largimi nga banesa ka ndodhur vetëm pak minuta më pas.
“Mua më lajmëruan, se isha poshtë, afërsisht në orën 7:30–8:00. Na lajmëruan dhe kam ardhur me sekonda që të hapnim çezmat. Por, me sekonda u zhdukëm. Për 10 minuta kemi ikur nga shtëpia. Kemi braktisur shtëpinë dhe kemi ikur.”
Ajo thotë se ka parë edhe turistë që largoheshin nga zona me valixhe.
“Turistët i pashë të gjithë me valixhe, po iknin. I pashë të gjithë turistët me valixhe dhe po iknin.”
Ndërkohë, një përfaqësuese e një hoteli në zonë tregon se situata është normalizuar, por turistët janë larguar për arsye sigurie.
“Situata është normalizuar. Kaluam momentet e vështira, por, shyqyr Zotit, çdo gjë duket se është normalizuar.”
Sipas saj, në hotel ndodheshin turistë të huaj, të cilët u evakuuan në kohë.
“Të gjithë turistët u evakuuan në kohën e duhur, për sigurinë e tyre dhe tonën.”
Ajo shpjegon se turistëve iu kërkua të zhvendoseshin drejt qendrës së Himarës, derisa situata të qetësohej.
“U thamë të zbrisnin poshtë, në qendër, derisa të qetësohej situata. Më pas, nëse do të duan të kthehen përsëri në akomodim, ne i mirëpresim.”
Në hotel, sipas përfaqësueses, ishin të zëna gjashtë dhoma nga turistë të huaj.
“Kishim gjashtë dhoma të zëna nga të huaj.”
Edhe pse turistët janë larguar, ata kanë vijuar të mbajnë kontakt me stafin e hotelit, duke pyetur nëse dhe kur mund të rikthehen.
“Kemi kontaktuar me ta dhe na kanë dërguar mesazhe për të pyetur se kur mund të vijmë dhe nëse është e mundur dhe e sigurt që të ndodhemi aty.”
Situatës së vështirë i është shtuar edhe ndërprerja e energjisë elektrike.
“Po, sigurisht, është ndërprerë edhe energjia. Për momentin presim që të rikthehet edhe energjia, në mënyrë që të rikthehemi sadopak në normalitet.”
Banorët vijojnë të jenë në gatishmëri, ndërsa flakët dhe era e fortë kanë mbajtur të lartë ankthin në zonë.
