Ministria e Mbrojtjes ka reaguar për situatën e krijuar nga zjarri në Himarë, duke bërë me dije se Forcat e Armatosura kanë vijuar gjatë natës angazhimin në terren për menaxhimin e situatës dhe mbrojtjen e komunitetit.
Sipas ministrisë, në terren kanë qenë të angazhuar 171 efektivë dhe 10 mjete, ndërsa në gatishmëri kanë qenë edhe një mjet zjarrfikës dhe një ambulancë e Forcave të Armatosura.
Strukturat ushtarake kanë qëndruar pranë komunitetit për përballimin e situatës së krijuar nga zjarri, me fokus mbrojtjen e jetës dhe pronës.
“Mirënjohje dhe respekt për secilin prej tyre!”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Reagimi vjen pas një nate të vështirë në Himarë, ku flakët prekën edhe banesa dhe detyruan disa banorë e turistë të largoheshin drejt zonave më të sigurta.
