“Finalja” u luajt në Paris/ Gjysmëfinale e madhe në Champions në PSG-Bayern

CHAMPIONS LEAGUE


U mendua se ajo që pamë në Mynih dy javë më parë ishte kulmi. Paskemi qenë të gabuar tërësisht.

Spektakli në “Parkun e Princave” të kryeqytetit të Francës arriti përmasa çmendurie dhe Paris SG e Bajern shënuan plot 9 gola në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve.

Ndoshta, diçka e tepruar dhe e pakujdesshme për ata që pëlqejnë stilin e quajtur “italianist” të futbollit, të njohur ndryshe si “katenaço” apo “dryni zviceran”, por publiku botëror që ndjek këtë sport padyshim që ka duartrokitur fort.

Paris SG, kampion I Europës në fuqi, fitoi 5-4 në një përballje mahnitëse, me përmbysje, me gabime, por edhe me momente të mëdha futbolli.

Bajerni kaloi përpara me Harri Kejnin me penallti, por PSG reagoi dhe e ktheu për mbarë ndeshjen kur Kvarackelia dhe Nevesh shënuan shpejt.

Barazimi erdhi sërish rrufeshëm falë një francezi si Olise, por pjesa e parë I takoi vendasve.

Në fund, Dembele fitoi penallti dhe e ktheu në gol po vetë.

Topi I Artë I “Frans Futbollit” nisi ta tregonte veten, ndërsa pas pushimit u luajt një dramë më vete.

Kur kampionët e Francës dhe të kontinentit shënuan dy herë radhazi dhe arritën epërsinë 5-2, u mendua se bavarezët do të përfundonin si Çelsi apo Liverpuli.

Ndoshta, për një moment harruam se po flasim për Bajernin.

Gjigandi I Gjermanisë dhe I Europës tregoi gjithë karakterin përballë një skuadre vrasëse në kundërsulm dhe rihapi gjithçka.

Mbrojtësi Upamekano dhe sulmuesi Luis Diaz, ai që fitoi penalltinë në fillim, e kthyen ekipin e tyre nga buza e greminës, në pretendent të fortë për finalen e Championsit.

Dhe të mendosh se këtë herë ishte pa trajnerin e pezulluar, Vinsent Kompani, ndërsa Luis Enrike ishte në stol.

Kualifikimi do të vendoset mbrëmjen e 6 majit në “Alianc Arenë” në duelin e kthimit Bajern-PSG.



Skip to toolbar