Irani “tallet” me Amerikën/ U “fal” nga Trump një ditë më parë, por Teherani vendos “kushtet” e veta

BOTA


Pasi Donald Trump pezulloi sulmet ndaj Iranit që ishin planifikuar për këtë të martë, Teherani zbuloi kushtet e veta për të rënë dakord për një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara.

Zëvendësministri I jashtëm Iranian tha se një marrëveshje do të kërkonte heqjen e sanksioneve ndaj Teheranit, lirimin e fondeve të ngrira, fundin e bllokadës detare ndaj vendit; përfundimin e luftës në të gjitha frontet, përfshirë Libanin; largimin e forcave amerikane nga zonat afër Iranit dhe kostot për të mbuluar shkatërrimin e shkaktuar nga lufta.

Ndërkohë zyrtarët Iranian kanë theksuar se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet përgjithmonë në zotërim dhe menaxhim të Teheranit.

Përpjekjet diplomatike siç duket vazhdojnë me ndërmjetësimin e Pakistanit, por dy vendet nuk takohen diku në kushtet e tyre.

Pasi ndali sulmet me kërkesë të vendeve të Gjirit për t’u lënë vend pikërisht bisedimeve, Donald Trump theksoi se Shtetet e Bashkuara do të ishin të kënaqura të arrinin një marrëveshje që do e pengonte Iranin të kishte armë bërthamore.

Trump shtoi se ka pasur diskutime të gjera me Iranin, por mbetet për t’u parë deri ku do të shkojnë ato.

Presidenti amerikan theksoi se kishte rënë dakord të ndalonte sulmet për dy ose tre ditë, një periudhë të shkurtër kohore.

Trump ka kërcënuar vazhdimisht të rifillojë sulmet ndaj Iranit pas një armëpushimi të arritur më 8 prill, duke thënë se vendi I Lindjes së Mesme do të zhduket nga faqja e dheut nëse nuk pranon një marrëveshje.



Skip to toolbar