Si spaçatorët fundosën nënkomisarin/ Sarandë, ndalimi pas përgjimeve në komisariat

#NËRADAR


Një hetim për shpërndarje të lëndëve narkotike ka çuar në ndalimin e një oficeri të Policisë së Sarandës, i dyshuar për përfshirje në korrupsion. Në pranga ka rënë nënkomisari Edmond Ruçi, specialist për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, pas një operacioni të zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Sipas burimeve hetimore, gjithçka nisi pas arrestimit të dy personave të dyshuar për shitje droge, Adriel Zanaj dhe Keivin Duro, në automjetin e të cilëve u gjetën dhe u sekuestruan 24 doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.

Gjatë hetimeve për këtë procedim penal, Prokuroria e Sarandës dyshoi për përfshirje të paligjshme të oficerit të policisë që po ndiqte çështjen. Me urdhër të prokurorisë, në ambientet e dhomave të shoqërimit ku mbaheshin dy të arrestuarit, u instaluan pajisje përgjimi, të cilat sipas burimeve kanë zbuluar komunikime që implikojnë nënkomisarin Edmond Ruçi në veprime të dyshuara korruptive.

Në njoftimin zyrtar, Prokuroria e Sarandës thotë se ndaj oficerit është ngritur akuza për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa ndalimi i tij u ekzekutua nga shërbimet e AMP-së.

Sipas organit të akuzës, dyshimet ndaj Ruçit lindën pikërisht gjatë hetimeve për çështjen e narkotikëve, ku ai ushtronte funksionin e oficerit të policisë gjyqësore. Pas mbledhjes së provave paraprake, prokurori i gatshëm urdhëroi ndalimin e tij, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht përmasat e aferës së dyshuar korruptive.



Skip to toolbar