Në BE “sipas Ramës”, 5 vende janë dakord/ Anëtarësimi i Shqipërisë në union, integrim me faza

Më të fundit


Propozimi i Ramës nuk bie në vesh të shurdhër.

5 vende anëtare të BE, pjesë e Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor kanë propozuar integrim gradual të Shqipërisë dhe vendeve të tjera kandidate në BE.

Sipas dokumentit që disponon Euroactiv, Italia, Austria, Republika Çeke, Sllovakia dhe Sllovenia kërkojnë një model anëtarësimi hap pas hapi, ku përfshihen tregu i përbashkët europian, lëvizja e lirë në BE si dhe masa mbrojtëse ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, për t’i mbajtur larg influencave të huaja, Rusisë dhe Kinës.

Dokumenti paraqet disa sektorë të rinj që mund të përfshihen, siç janë tregjet e transportit, energjisë dhe energjisë elektrike, tregu i vetëm dixhital, strategjitë e konkurrueshmërisë dhe politikat kritike të lëndëve të para.

Sipas kësaj qasjeje të propozuar, synohet që vendet e Ballkanit Perëndimor të nxiten të vijojnë reformat, të plotësojnë kriteret dhe të ecin me vrull drejt integrimit europian.

Euractiv thotë se ky propozim konfidencial i ka shkuar në tryezë komisioneres për zgjerimin europian, Marta Kos dhe po qarkullon në duart e përfaqësuesve të 27 vendeve anëtare të BE.

Jo rastësisht ky propozim vjen nga grupi i vendeve anëtare të BE që mbështet më shumë anëtarësimin e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE.

Në muajin mars, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, me një editorial të përbashkët në gazetën gjermane Frankfurt Allgemeine Zeitung, iu drejtuan BE me një propozim të ngjashëm.

Integrim gradual, me përfshirje të vendeve të rajonit në tregun europian, anëtarësimin në zonën Shengen për lëvizjen e lirë të qytetarëve brenda BE dhe kandidate pa të drejtë veto deri në momentin e anëtarësimit të plotë, që si për Shqipërinë dhe për Brukselin objektiv mbetet brenda vitit 2030.



Skip to toolbar