Si rezultat i bashkëpunimit mes Interpol Tirana dhe homologëve në Madrid, është lokalizuar dhe arrestuar në Spanjë, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, 49-vjeçari Kevin Margjoni.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi ndaj tij Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Sipas autoriteteve, Margjoni akuzohet për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Autoritetet shqiptare dhe ato spanjolle po vijojnë procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Më 6 mars të këtij viti SPAK lëshoi 5 masa të reja arresti ku vetëm 3 u ekzekutuan asokohe. Ndërsa Margjoni u arrestua me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë.
Bëhet fjalë për një tjetër episod trafiku të kokainës në kuadër të hetimeve për dosjen e laboratorit të kokainës në Frakull.Arrestimi i Kevin Margjonit lidhet me hetimet për trafikimin gjatë vitit 2022 të një sasie prej 485.5 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e importuar nga Kolumbia dhe e fshehur në një ngarkesë me “pleh organik artificial”, e cila është sekuestruar më datë 24.11.2022 në Frakull të Madhe, Fier.
