Plagosja e dy efektivëve gjatë ndjekjes së një shpërndarësi kokaine/ Zbardhet dinamika, 2 të arrestuar

AKTUALITET


Është zbardhur ngjarja e ndodhur një ditë më parë në Korçë, ku gjatë një operacioni antidrogë u përfshinë në një aksident rrugor dy efektivë policie, ndërsa njëri prej tyre mbeti i lënduar.

Sipas burimeve policore, efektivët e Policisë së Korçës kishin nisur një operacion për goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike. Gjatë aksionit, ata kanë konstatuar një person që dyshohet se kishte blerë drogë nga Vangjush Dushku.

Në momentin që policia ka tentuar të ndalojë personin në fjalë, ka nisur ndjekja, e cila përfundoi me një aksident rrugor pasi automjeti i efektivëve u përplas me makinën e personit që po ndiqej. Ky i fundit është arrestuar menjëherë nga policia.

Ndërkohë, pjesa tjetër e grupit hetimor është drejtuar drejt një lokali në fshatin Lumalas, ku Vangjush Dushku punonte si kamarier.

Gjatë kontrollit të ushtruar, policia ka gjetur doza të tjera lënde narkotike si në trupin e tij, ashtu edhe në ambientet e lokalit.

Në përfundim të veprimeve, edhe Dushku është vënë në pranga. Po ashtu, policia ka shpallur në kërkim pronarin e lokalit, pasi dyshohet se ambienti përdorej për shitjen e lëndëve narkotike.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. Ndërsa efektivi i policisë i plagosur ndodhet në spitalin e Tiranë, ku sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën.



Skip to toolbar