SHBA ndërmerr operacion të ri ushtarak ndaj Iranit mes krizës në Hormuz

BOTA


SHBA-ja ka ndërmarrë sulme të reja ndaj Iranit, duke goditur një bazë ushtarake në Bandar Abbas, qyteti strategjik portual në jug të vendit. Lajmi është konfirmuar nga Komanda Qendrore Amerikane (Centcom), e cila deklaroi se operacioni kishte si objektiv neutralizimin e kërcënimeve iraniane në rajonin e Ngushticës së Hormuzit.

Sipas Centcom, forcat amerikane rrëzuan katër dronë sulmues iranianë me një drejtim, të cilët konsideroheshin kërcënim për sigurinë detare në zonë. Po ashtu, baza në Bandar Abbas u godit në momentin kur po përgatitej të lëshonte një dron të pestë. Mediat iraniane raportuan për shpërthime të fuqishme në lindje të qytetit.

Sulmet vijnë në një moment delikat, mes një armëpushimi të brishtë ndërmjet SHBA-së dhe Iranit, si edhe negociatave të zgjatura për t’i dhënë fund konfliktit tremujor që ka paralizuar trafikun në Ngushticën e Hormuzit dhe ka ndikuar në rritjen e çmimeve globale të energjisë.

Kjo është hera e dytë brenda tre ditësh që ushtria amerikane godet objektiva iraniane, duke argumentuar se veprimet janë kryer në kuadër të vetëmbrojtjes. Centcom i cilësoi operacionet si “të matura, thjesht mbrojtëse dhe të destinuara për të ruajtur armëpushimin”.

Më herët gjatë javës, SHBA-ja kishte ndërmarrë një tjetër seri sulmesh në jug të Iranit, duke shënjestruar pozicione raketore dhe mjete detare që sipas Uashingtonit po tentonin të vendosnin mina në Ngushticën e Hormuzit, ku mijëra anije cisternë janë bllokuar si pasojë e konfliktit.

Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) deklaroi se kishte rrëzuar një dron amerikan dhe kishte qëlluar ndaj një avioni luftarak dhe një tjetër droni që kishin hyrë në hapësirën ajrore iraniane, pa dhënë detaje mbi kohën e incidentit.

Presidenti amerikan Donald Trump, gjatë një mbledhjeje të kabinetit të zhvilluar të mërkurën, akuzoi Iranin se po “negocion për tymin”, ndërsa paralajmëroi se SHBA-ja mund të rikthehet në një fushatë të gjerë bombardimesh nëse Teherani nuk pranon kushtet amerikane. “Ndoshta duhet të kthehemi dhe ta përfundojmë, ndoshta jo”, deklaroi Trump.

Gjatë të njëjtit takim, presidenti amerikan u bëri thirrje vendeve të Gjirit të nënshkruajnë Marrëveshjet e Abrahamit për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin.

Ndërkohë, Izraeli vijon luftën kundër Iranit dhe Hezbollahut në Liban, konflikt që nisi më 28 shkurt me mbështetjen e SHBA-së dhe që po rrit frikën për një përshkallëzim më të gjerë në Lindjen e Mesme.



Skip to toolbar