Presidenti i Këshillit Evropian vizitë në Tiranë më 2 qershor, takime me Ramën dhe Begajn

AKTUALITET


Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do të vizitojë Tiranën më 2 qershor, në kuadër të turit të tij në Ballkanin Perëndimor para Samitit BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Costa do të takohet me kryeministrin Edi Rama, presidentin Bajram Begaj, si dhe me studentët e Kampusit të Tiranës të Kolegjit të Europës. Pas Tiranës, ai do të udhëtojë drejt Shkupit për takim me kryeministrin Hristijan Mickoski.

“Turneu im i dytë në Ballkanin Perëndimor dërgon një sinjal të qartë: angazhimi i BE-së ndaj rajonit është real; po aq real sa edhe mundësia për zgjerim. Momenti është këtu. Tani është koha për rezultate”, deklaroi Costa.

Presidenti i Këshillit Evropian do të zhvillojë vizita në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nga 1 deri më 5 qershor. Turi nis në Sarajevë, vazhdon në Tiranë, Shkup, Prishtinë e Beograd dhe mbyllet në Mal të Zi.

Më 3 qershor, Costa do të vizitojë Prishtinën, ku do të takohet me ushtruesen e detyrës së presidentit Albulena Haxhiu, kryeministrin në largim Albin Kurti dhe liderët e partive opozitare.

Ndërsa më 5 qershor, ai do të bashkëdrejtojë Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, ku tema qendrore do të jetë “Mirëqenia dhe stabiliteti i përbashkët i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”.



Skip to toolbar