Sot mbushen 30 vite, nga 28 maji i 1996, një ditë që simbolizon fundin e pranverës, por atë ditë rezultoi shumë e errët për Shqipërinë dhe demokracinë, kur rrugët e Tiranës u lanë me gjak, nga dhuna shtetërore e policore, e një qeverie me emrin demokratike, por që 5 vite pas rrëzimit të komunizmit, riktheu hijen më të egër të atij regjimi.
Opozita e PS, me liderin e saj të burgosur Fatos Nanon, protestonte për votën e lirë dhe vetë ekzistencën e saj, pasi më dy ditë para, më 26 maj, ishte përgatitur farsa më e rëndë elektorale në historinë e pluralizmit shqiptar. PD e Sali Berishës fitoi 122 deputetë apo 87% të përfaqësisë në parlament, duke lënë PS me vetëm 10 deputetë.
Operacioni antiopozitë kishte nisur më herët, me përjashtimin e shumicës së figurave kryesore të PS nga e drejta e kandidimit në zgjedhje, ndërsa socialistët tërhoqën komisionerët nga qendrat e votimit dhe bojkotuan zgjedhjet.
Në fund një rezultat surreal, në kutitë e votimit të numëruara nga komisionerët demokratë, dolën më shumë vota se sa votues. Të gjitha për PD.
Opozita në atë kohë organizoi protestën e njohur të 28 majit. Socialistët kërkuan sheshin “Skënderbej”, por qeveria e Partisë Demokratike e zhvendosi protestën në fushën e Ali Demit, edhe aty nën rrethim policor, por nga të gjitha drejtimet socialistet u nisen të marshojnë drejt sheshit “Skënderbej”.
Një prej drejtuesve të asaj proteste, sot ministër i qeverisë socialiste, Blend Gonxhe tregon dhunën e ushtruar me urdhër të Berishës.
“Unë kam qenë pjesë e Aleancës Demokratike atëherë. Kandidat. Mua nuk më lihej mundësia fizike të bëja fushatë në qytet student. Pra ai ishte vërtet një regjim. Zgjedhjet ishin totalisht të manipuluara. U desh që të ngriheshim tu tregonim shqiptarëve çfarë po ndodhte, aty u përballëm me fytyrën e vërtetë të regjimit të Berishës”, ka thën Gonxhe.
Policia me autoblinda, me qen, forcat speciale dhe punonjës të shërbimit informativ gjithsej 6 mijë forca krijuan barrikada për të penguar marshimin dhe në rrugën e Elbasanit ndodhi përleshja. Dhuna u bë e përgjakshme.
“Dhuna ishte e tejskajshme. Pati njerëz të lënduar, plagosur, madje rrezikuan edhe jetën. Nuk kishte tolerancë. Pati njerëz që e vuajtën për shumë vite atë dhunë, pati njerëz që nuk u rekuperuan më kurrë. Shkopinj dhe goma ngado, në kokë, në trup, ishte çnjerëzore”, shprehet Gonxhe.
Ato zgjedhje nuk u njohën nga vëzhguesit e OSBE/ODHIR që faktuan pjesën më të madhe të manipulimeve. Misioni në atë kohë drejtohej nga britanikja Glover.
Kurse përfaqësuesit dhe shtypi ndërkombëtar raportuan gjerësisht dhunën në rrugët e Tiranës, disa gazetarë të huaj përfunduan të dhunuar edhe vetë.
Pas kaq vitesh, Blendi Gonxhja, një ish-student i dhjetorit 1991, që më pas protestoi në opozitë protestoi kundër PD, dhe sot ministër i PS, thotë se një gjë nuk ndryshon, Berisha dhe mentaliteti i tij jo i rastësishëm.
“Nuk është e rastësishme dhuna. Ai nuk heq dorë. Ai është përfaqësues i një mentalitet të vjetër. Kështu do të ndodhë. Problemi është se qëndrimi i tij sot me të njëjtin mentalitet”, nënvizoi ai.
Jo rastësisht, Berisha hesht këtë 28 maj. Sigurisht, ai 28 maj ishte kulmi i pushtetit të tij, me një forcë absolute përballë një opozite thuajse në shkrirje, ai në 1996 ndihej edhe mbret.
Sot pas 30 vitesh, Sali Berisha ndihet sërish mbret, me të njëjtën gjuhë dhe me disa thinja më shumë, vetëshpall fitore dhe rrëzon komunizmin, por mbret ama është vetëm në oborrin e vet, ndërsa për ironi të fatit opozitën e asaj kohe që nuk arriti ta asgjësojë dot, po e bën sot me partinë e vet në opozitë.
28 maji është një e shkuar, por PS që e vuajti në ekzistencë, dhe Edi Rama që dhunën e asaj dite do e ndiente disa muaj më pas në vitin 1997, sot kanë një tjetër objektiv, integrimin në BE.
30 vjet pas asaj dite dramatike, ku këtu u rrah opozita, nga e njëjta qeveri që i vodhi zgjedhjet, sheshi Skënderbej është përplasje kontradiktash. Reflekton ndryshimin e Shqipërisë dhe modernizimin e saj. Por pjese e modernizimit janë dhe ndërtesa, qe shume thonë, ngrihen me paratë e korrupsionit. Dhe me to lidhet serish mbiemri Berisha. 30 vjet me pare ketu vidhej liria. Tre dekada me pas vjedhja vazhdon serish, por me forma te tjera, e pandëshkuar. I vetmi ndëshkim që merr Sali Berisha, është sa herë shqiptarët votojnë. Por shume prej tyre mendojnë se kjo, nuk është mjaft dhe se duhet të veprojë edhe drejtësia.
“Po sigurisht, i vodhi zgjedhjet, i rrahu njerëzit, Sali Berisha ishte. Sigurisht ta dënojë drejtësia”, shprehet një qytetar.
Po prej Sali Berishës jemi në këtë katandi, por këta duhen dënuar tërë. Mir drejtësia, po duhet ta dënojë Sali Berishën, por s’kemi më dhe aq shume besim të drejtësia”, thonë qytetarët.
Dhe sa kohë që kjo nuk ndodh, duhet qe se paku të kujtojmë 28 majin, ditën kur demokracia shqiptare pësoi infarktin e saj më të fortë. Nga sheshi Skënderbej për Abc News, Andon Kello.
