Shqipëria ka reaguar pas sulmit me dron rus në qytetin Galați të Rumanisë, ku një ndërtesë banimi u godit dhe mbetën të plagosur civilë, mes tyre edhe një i mitur.
Përmes një deklarate zyrtare, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënoi ashpër incidentin, duke e cilësuar atë si një përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm nga ana e Federatës Ruse.
Në reagim, Shqipëria shprehu solidaritet të plotë me popullin dhe autoritetet rumune, ndërsa theksoi se pasojat e luftës së Rusisë kundër Ukrainës po kërcënojnë gjithnjë e më shumë sigurinë e civilëve edhe përtej kufijve ukrainas.
Gjithashtu, Ministria nënvizoi se Shqipëria do të vijojë të qëndrojë në krah të aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë në mbështetje të paqes, sigurisë dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare.
Deklarata e plotë e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme:
“Shqipëria dënon sulmin rus me dron në Galați, Rumani, i cili goditi një ndërtesë banimi dhe plagosi civilë, përfshirë një të mitur.
Shprehim solidaritetin tonë të plotë me popullin dhe autoritetet e Rumanisë dhe u urojmë shërim të shpejtë dhe të plotë të plagosurve.
Ky incident përfaqëson një përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm nga ana e Federatës Ruse dhe nënvizon më tej absurditetin dhe koston njerëzore të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, pasojat e së cilës vazhdojnë të kërcënojnë sigurinë dhe mbrojtjen e civilëve përtej kufijve të Ukrainës.
Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë në solidaritet të plotë me aleatët dhe partnerët tanë, në mbështetje të përpjekjeve të koordinuara për t’i dhënë fund kësaj lufte në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare.”
