Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë në qarkun e Korçës, ku inspektoi disa investime në sektorin bujqësor dhe industrinë prodhuese.
Ndalja e parë ishte në “Fermën e dijes dhe agroturizmit të mollëve”, një investim i ndërtuar sipas standardeve të Bashkimit Europian dhe i lidhur me Universitetin e Korçës. Në një sipërfaqe prej 37 hektarësh është ngritur baza prodhuese dhe shkencore e universitetit, ku aplikohen metoda moderne të kultivimit dhe prodhimit bujqësor.
Sipas përfaqësuesve të projektit, ferma synon të shërbejë si qendër orientuese për fermerët dhe prodhuesit e rajonit në përdorimin e metodave shkencore të kultivimit.
Rajoni i Korçës konsiderohet një nga zonat me prodhimin më të madh bujqësor në vend, ndërsa investimi synon të ndërthurë prodhimin, kërkimin shkencor dhe zhvillimin e agroturizmit.
Më pas, Kryeministri vizitoi fabrikën e prodhimit të oxhaqeve dhe vatrave ekologjike të zjarrit të sipërmarrësit Arben Xega. Në këtë fabrikë prodhohen mbi 100 modele të destinuara kryesisht për eksport në rreth 30 vende të botës.
Sipas drejtuesve të kompanisë, në sipërmarrje janë të punësuar dhjetëra të rinj dhe banorë të zones, ndërsa ndërmarrja ka zgjeruar praninë në tregjet europiane dhe është bërë pjesë e një kooperative gjermane me mbi një shekull histori.
Gjatë vizitës, Kryeministri Edi Rama prezantoi edhe programin e ri të mbështetjes financiare për bizneset prodhuese, i realizuar në bashkëpunim me bankat e nivelit të dytë dhe Bankën e Shqipërisë.
Sipas Kryeministrit, programi parashikon kredi me interesa më të ulëta dhe garanci financiare deri në 2 milionë euro për ndërmarrjet prodhuese.
Vizita në Korçë u përqendrua tek investimet në bujqësi, industria prodhuese dhe eksportet, sektorë që sipas qeverisë konsiderohen me rëndësi për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e punësimit në rajon.
