Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet për tre ish punonjës policie të përfshirë në një grup të strukturuar kriminal për trafikim dhe kultivim narkotikësh nga Shqipëria drejt Greqisë dhe zbriti kërkesën në GJKKO për kalimin e çështjes për gjykim.
Shkëlzen Ruska, Ervis Alisinanaj dhe Erdit Hazizaj të tre ish punonjës në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër u morën të pandehur nga struktura e posaçme, për përfshirjen e tyre në një rrjet kriminal i cili ka trafikuar sasi të mëdha kanabisi drejt shtetit grek.
Hazizaj i cili më herët ka mbajtur edhe poste drejtuese në disa komisariate në vend, njëherësh ka qenë kandidat i Partisë Demokratike në Bashkinë Roskovec, në zgjedhjet e vitit 2023. Ai akuzohet se ka kryer veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal” dhe “Shpërdorim i detyrës”. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj Ruskës , ndërsa Alisinanaj akuzohet për shpërdorim detyre.
Struktura antikorrupsion dokumentoi disa raste të trafikimit të kanabisit përmes pikës së kalimit kufitar Qafë Botë. Njëra u regjistrua gjatë viteve 2019-2021, ku u kapën dy sasi të mëdha droge, konkretisht rreth 1.1 ton kokainë kanabis e papërpunuar, rreth 4 ton kanabis e përpunuar në formën e cokollatës, të cilat kapnin vlerën rreth 1.7 milionë euro.
Një tjetër episod u shënua në 1 tetor 2020 në rrugën mes fshatit Dukaj dhe fshatit Salari ku u gjetën dhe u sekuestruan 1360 bimë narkotike me peshë totale 1.2ton.
Anëtarët e grupit të strukturuar kriminal kishin krijuar kontakte dhe lidhje shoqërore me punonjës të Policisë së Shtetit, për të bërë të mundur vijimësinë e aktivitetit kriminal. Erdit Hazaizaj i cili punonte te forca e Posaçme Operacionale ndihmonte drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal me këshilla dhe informacione të vazhdueshme për zhvillimin e aktivitetit të kundraligjshëm.
Tre të pandehurit sipas SPAK, gjatë vitit 2020 kanë kryer veprime dhe mosveprime që kanë cenuar rëndë funksionimin e rregullt të strukturave policore, duke mos ndërmarrë masa për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të narkotikëve.
