Emergjencat civile, Rama: Sanksione për bashkitë dhe privatët

AKTUALITET


Rritja e përgjegjësive nga njësitë e qeverisjes vendore, por dhe e biznesit privat, përballë emergjencave civile, promovimi i vullnetarizmit, dhe mbi të gjitha parandalimi i rreziqeve, përbëjnë thelbin e ligjit të ri për Mbrojtjen Civile, i prezantuar nga Kryeministri Edi Rama dhe drejtues të tjerë të Qeverisë këtë të mërkurë.

“Mbrojtja civile ka kaluar në një nivel tjetër, që prej kohës që Drejtoria e Emergjencave Civile kaloi në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, provat i kemi dhënë tashmë. Sot mund të themi që kemi një bazë të re ligjore të hartuar, të gatshme për miratim me një strategji kombëtare për reduktimin e riskut. Këtu sfida mbetet e përditshmja, jo momenti kur emergjenca shfaqet. Do ketë një përpjekje  e vazhdueshme për parandalimin e emergjencave”, tha Rama.

Më tej shefi i Qeverisë, u shpreh se trashëgimia nga e kalaura është shumë e rëndë. Një pjesë e problemit ka ardhur prej papërgjegjshmërisë së pushtetit lokal në këto tre dekada, të cilët kanë bërë pak ose aspak për rritjen e kapaciteteve parandaluese nga rreziqet natyrore. Me ligjin e ri, tashmë Bashkitë, por dhe bizneset private, do të kenë përgjegjësi direkte për parandalimin e emergjencave civile.

“Kemi një trashëgimi shumë të rëndë në gjithçka është bërë në këto dekada të rrëmujshme. Është përkeqësuar kapacitetit natyral mbrojtës. Me këtë ligj kemi një shpërndarje të qartë të përgjegjësive dhe përcaktim të roleve. Kemi dhe një bazë për përditshmërinë. Plani për emergjencat civile tani do të jenë të detyrueshme qoftë për shtetin qoftë për sektorin privat. Do të ketë sanksione të qartë për cdo institucion apo subjekt privat, nuk mund dot që në përditshmëri t’i hapim gropën vetes e pastaj kur vjen furtuna t’i kërkojmë shtetit të në nxjerrë nga gropa, nuk mund dot ti bien shkurt duke këputur kanalin e shkarkimit të ujërave për të bërë një hyrje me palma në lokal dasmash e pastaj ankohemi pse shteti na prishi dasmën kur erdhi furtuna. Njësitë e qeverisjes vendore nuk mund të mos jenë të papërgjegjshme njësoj si një pronar i një lokali dasmash ”, u shpreh Kryeministri.

Më tej, Rama u shpreh se Drejtoria e Emergjencave Civile do të transformohet në Agjencinë Kombëtare Civile, e cila do të jetë në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, dhe do të ketë më shumë kapacitete financiare dhe kompetenca ligjore, për mbrojtjen e qytetarëve.

“Agjencia e re do të jetë në varësi të ministrit, do të jetë një autoritet shumë më i madh se drejtoria e emergjencave civile. Agjencia e re për Mbrojtjen Civile do të ketë kapacitete më të mëdha financiare dhe kompetenca ligjore. Me këtë ligj ne e përafrojmë vendin me standardin e mekanizmit të mbrojtjes civile të vendeve të Bashkimit Europian”, u shpreh Kryeministri.



Skip to toolbar