Pas protestave për Zvërnecin, Rama: Po Shqipëria, pse të mos ketë Costa Navarinon e saj?

AKTUALITET


Mëngjesin e kësaj të marte, më 2 qershor, kryeministri Edi Rama e ka nisur me një reagim sa i takon çështjes së Zvërnecit, për të cilën ditën e djeshme u protestua për të dytën ditë radhazi në kryeqytet.

Kreu i qeverisë ka ndarë në Facebook pamjet nga Costa Navarino në Greqi, duke thënë se edhe projekti atje ishte kundërshtuar fillimisht, ndërsa sot është një nga destinacionet turistike më prestigjioze të Europës.

“Sa më e madhe ëndrra aq më i madh paragjykimi i tyre, sa më ambicioz projekti, aq më e madhe katastrofa e paralajmëruar, sa më i madh ndërtimi aq më i llahtarshëm përgojimi i atyre që ndërtojnë.

Ndodhi në Greqi. Me Costa Navarinon.

Para se të ndërtohej, u tha se po vinte fundi i botës. U tha se do të shkatërrohej natyra. U tha se do të zhdukej biodiversiteti. U tha se fushat e golfit do të pinin ujin e brezave që do të vinin dhe Messinia do të kthehej në shkretëtirë. U tha se një nga peizazhet më të bukura të Mesdheut do të varrosej nën pushtimin e betonit.

Peticione. Protesta. Kundërshti. Debate. Parashikime apokaliptike.

Me pak fjalë, repertori i zakonshëm i atyre që e kanë më të lehtë të venë kujën për fundin e një vendi, sesa për transformimin e tij.

Por në fund projekti u ndërtua.

Dhe sot?

Sot Messinia nuk është simbol i katastrofës. Është simbol i transformimit të një ëndrre të bukur në një realitet mbresëlënës, falë një projekti shumë ambicioz. Një nga destinacionet turistike më prestigjioze të Europës. Një rajon i vendosur si një perlë e rrallë në kurorën e turizmit botëror.”, shkruan Rama, duke shtuar se Costa Navarino ka sjellë për Greqinë, mijëra vende pune të mirëpaguara dhe ka gjeneruar miliarda euro për ekonominë.

Në reagimin e tij, Rama ka renditur edhe disa tregues të performancës mjedisore të projektit të Costa Navarinos, ku përmendet ulja me 75% e emetimeve operacionale të karbonit krahasuar me vitin 2019, riciklimi dhe ripërdorimi i mbi 185 mijë metrave kub ujë vetëm gjatë vitit 2024, reduktimi me 72% i plastikës njëpërdorimëshe, si dhe përdorimi i energjisë elektrike 100% nga burime të rinovueshme.

Në fund, kryeministri ngre pyetjen: “Po Shqipëria s’mund ta ketë ‘Costa Navarinon’ e saj?” Dhe përgjigjen e jep po vetë: “Patjetër që po, madje ende më rrezatuese botërisht mu aty, në Zvërnec, po si e qysh kjo nuk ka lidhje me historinë e këtij postimi, po me historinë e një projekti që ka ambicien të krijojë destinacionin më tërheqës të kësaj ane të Mesdheut.”

Ditën e hënë, më 1 qershor, u mbajt protesta e dytë qytetare para Kryeministrisë lidhur me situatën e krijuar në Zvërnec.

Tubimi u organizuar nga shoqëria civile, pas incidentit të ndodhur në Zvërnec ditën e shtunë, ku një protestues u tërhoq zvarrë nga punonjës sigurie të një kompanie private.

Përgjatë gjithë ditës së djeshme, kryeministri Rama bëri një sërë reagimesh sa i takon situatës së krijuar por dhe sqaroi opinionin publik se projekti nuk parashikon të preket zona e mbrojtur.

Ai premtoi me vendosmëri se kjo hapësirë ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë një zonë e mbrojtur e kategorisë së pestë.



Skip to toolbar