Gjermania me shtatë “plumba”/ Katër herë kampionët e rruzullit e nisin siç duhet Botërorin

Më të fundit


Fjalët e dikurshme të Geri Linekerit sot sikur janë harruar.

Ish-sulmuesi fisnik anglez thoshte se “futbolli është një lojë që luhet nga dy skuadra me nga 11 vetë, që në fund e fiton Gjermania”.

Katër herë kampionët e botës kanë 12 vjet që nuk ia dalin, por gjithsesi, nën udhëheqjen e trajnerit Julian Nagelsman, ndoshta mund të kthehen tek lavdia e dikurshme.

Natyrisht, këtë nuk mund ta konfirmojë fitorja 7-1 ndaj Kurasaos, skuadrës më modeste që ndodhet në këtë Kupë të Botës, por sidoqoftë, loja e “teutonëve” bindi në prani të 68 000 tifozëve në stadiumin e Hjustonit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Padyshim që nuk ka krahasim me 7-1 ndaj Brazilit në “Marakana” të Rio de Zhaneiros në 2014, e megjithatë loja ishte imponuese.

Tronditja e vetme ishte kur Kurasao barazoi për 1-1, dhe pjesa e parë pati një lloj shqetësimi.

Nmeça, Shloterbek, Haverc me penallti, Musiala, Kimih, Undav e sërish Haverc ishin autorët e golave për Gjermaninë.

Gjigandët nga Europa janë në krye të grupit E, me po aq pikë sa Bregu I Fildishtë, nga tre, e në 20 qershor do të jetë dueli kryesor mes dy të parëve.

Edhe pse “teutonët” nuk jepen ndër pretendentët kryesore për titullin, sërish ajo që bënë në Euro 2024 kur thuajse mundën Spanjën, është një paralajmërim.

Në fund të fundit po flasim për kombëtaren që ka shënuar më shumë gola në historinë e finaleve të Botërorëve, një më lart se Brazili.



Skip to toolbar