Keir Starmer pritet të njoftojë të hënën largimin nga posti i kryeministrit të Britanisë së Madhe, pas presionit në rritje nga deputetët e Partisë Laburiste që kërkojnë t’i hapet rruga Andy Burnham për të marrë drejtimin e partisë.
Prej javësh, Starmer dhe mbështetësit e tij kishin këmbëngulur se do të përballeshin me çdo sfidë për lidershipin, por situata ndryshoi pas fitores së Burnham në zgjedhjet e pjesshme në Makerfield, që i siguruan rikthimin në Parlament.
Sekretari për Biznesin, Peter Kyle, tha të dielën për Sky News se Starmer po shfrytëzon fundjavën për të “reflektuar mbi realitetet politike” me të cilat përballet.
I pyetur nëse kryeministri do të japë dorëheqjen të hënën, Kyle tha se nuk kishte arsye të besonte se kjo do të ndodhte, por nuk hodhi poshtë mundësinë e një ndryshimi të afërt në Downing Street.
“Ai po reflekton mbi atë që do të thotë të vendosësh vendin të parin në një moment si ky”, tha Kyle.
Sipas tij, Starmer ka zhvilluar bisedime me një numër të madh njerëzish gjatë ditëve të fundit dhe po shqyrton sfidat dhe mundësitë politike që ka përpara.
Megjithatë, Downing Street mohoi se kryeministri po përgatitet të largohet. Të premten, vetë Starmer deklaroi se do të kandidonte nëse do të kishte një garë për lidershipin, duke paralajmëruar se një proces i tillë do ta fuste vendin në “kaos”.
Fitorja e Burnham në Makerfield ka ndryshuar ndjeshëm ekuilibrat brenda Partisë Laburiste. Ai fitoi me më shumë se 50% të votave dhe me një diferencë prej mbi 9 mijë votash ndaj kandidatit të Reform UK.
Pas rezultatit, ekipi i Burnham besonte se kishte mbështetjen e rreth 200 deputetëve laburistë, afërsisht gjysmën e grupit parlamentar. Sipas raportimeve, ky numër është rritur më tej gjatë ditëve të fundit, duke shtuar bindjen se ai mund të marrë drejtimin e partisë pa pasur nevojë për një garë të brendshme.
Të premten, disa ministra që më parë kishin mbështetur Starmer i kërkuan atij të vendoste brenda fundjavës për afatin e largimit, duke paralajmëruar se në të kundërt mund të përballej me përpjekje për ta detyruar të largohej.
Një largim i Starmer do ta çonte Britaninë drejt kryeministrit të saj të shtatë në dhjetë vitet e fundit, vetëm dy vjet pasi ai udhëhoqi Laburistët drejt një fitoreje të thellë në zgjedhjet e përgjithshme.
Mandati i tij është shoqëruar me polemika dhe ndryshime kursi në disa politika, ndërsa Laburistët kanë rënë në sondazhe. Sipas the Guardian, Reform UK ka kryesuar në më shumë se 300 sondazhe kombëtare radhazi, duke shtuar shqetësimet brenda partisë se pa një ndryshim në lidership, Nigel Farage mund të bëhet kryeministri i ardhshëm.
