Ndezi zjarr në tokën e babait, por flakët dolën jashtë kontrollit, arrestohet 20-vjeçari në Drizë

AKTUALITET


Policia e Fierit ka arrestuar në flagrancë autorin e dyshuar të zjarrvënies në fshatin Drizë të Fierit, shtetasin N. J., 20 vjeç, banues në të njëjtin fshat.

Ky shtetas dyshohet se dje, në tokën në pronësi të babait të tij, ka ndezur zjarr për djegien e disa barishteve, por flakët kanë dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë një sipërfaqe të madhe në fshatin Drizë dhe në fshatrat përreth, ku u shkaktuan dëme materiale.

Shërbimet e Policisë evakuuan 12 familje, banesat e të cilave u rrezikuan nga përhapja e flakëve. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave të Policisë, shërbimeve zjarrfikëse, grupeve të Forcës Kombëtare të Sigurisë (FKS) – Njësia Fier, si dhe helikopterëve të Forcave të Armatosura, u bë e mundur shuarja e flakëve, pa pasoja për jetën e qytetarëve. Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për kujdes maksimal nga qytetarët, duke i ftuar të mos ndërmarrin veprime që mund të shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin”.



Skip to toolbar