“Djegia e mandateve një marrëzi. Të mos kthejmë ‘97-ën”

Më të fundit


Presidenti i Republikës, Ilir Meta e quan marrëzi djegien e mandateve nga ana e deputetëve të opozitës, ndërsa ngarkon me përgjegjësi dhe maxhorancën për situatën politike në vend. Në një intervistë mbrëmë në emisionin “Përballë”, Meta tha se zgjidhja nuk vjen as nga bojkoti dhe as nga djegia e mandateve, por nga dialogu mes palëve. Ai gjithashtu theksoi bindjen se ende ka vend për kompromis për të mos lejuar që vendi të kthehet mbrapsht në ’97-ën.

 “Duhet të keni parasysh që qëndrimi im, jo kundër djegies së mandateve që gjithmonë më është dukur një marrëzi, mund ta them pa frikë këtë gjë, por edhe ndaj bojkotit ka qenë gjithmonë që bojkoti është për të dhënë një mesazh, mund të ikësh në një seancë ku shkelet një e drejtë apo do të japësh një qëndrim që do të tërheqësh vëmendjen e opinionit, por nuk është një zgjidhje, pasi duke mos pasur iluzione dhe duke mos kërkuar standardet e demokracisë daneze, pasi kjo është dhe çështje kulture e tradite, besoj se edhe pse Parlamenti ynë apo institucionet tona kanë mangësitë e tyre, rruga më e mirë është të punosh brenda institucioneve për t’i përmirësuar ato. Ashtu sikurse mund të punosh edhe jashtë tyre përmes protestave duke ushtuar presion apo ndikim në mënyrë që ato të jenë në lartësinë e duhur që kërkon Kushtetuta, ligji, interesi kombëtar dhe publik.

Pra, nuk kam qenë dakord me këtë qasje, ashtu sikur se kam qenë gjithmonë i bindur që mazhoranca duhet të bënte përpjekje shumë më të mëdha për dialogun me opozitën, për tu bashkërenduar me të për shumë çështje të rëndësishme, sidomos ato të integrimit europian, sepse duhet paraqitur duhet demonstruar si një interes kombëtar, po këtë gjë nuk e kemi vënë re. Mua më vjen keq për këtë situatë sepse ka qenë tërësisht e evitueshme. Por dëshira për të treguar forcë secila palë më tjetrën na ka sjellë në këtë përshkallëzim të krizës.

Shpresoj të jemi ende në kohë që të mos shkojmë drejt një konfrontimi që do të ishte tërësisht i pafalshëm për të gjithë. Siç e kam theksuar dhe më parë të gjithë duhet të kemi nxjerr mësime nga ‘96-’97 dhe nuk do të rrezikojmë arritjet e vendit që nga ajo kohë e deri më tani, përfshirë edhe liberalizmin e vizave dhe shumë arritjeve të tjera. Në këtë drejtim duhet një reflektim nga të gjithë për të rikthyer vendin në normalitet kushtetues, institucional, demokratik, sepse ky është vendi i të gjithë neve dhe nuk mund të ecim me logjikën e përjashtimit”, u shpreh presidenti.



Skip to toolbar