Shqipëria, shembulli i zgjerimit të BE. Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, në mbledhjen e 607-të të Komitetit Socio-Ekonomik Europian, mori për referencë nisjen e mbylljes së grupkapitujve të Shqipërisë si shembulli që duhet të ndjekin edhe vendet e tjera kandidate.
“Ne patëm një super të martë, një super të martë. Bashkë me Presidencën irlandeze, hapëm kapituj të rinj me Ukrainën dhe Moldavinë. Duart lart kush është nga Ukraina dhe Moldavia.
Këtë javë mbyllëm 2 kapituj me Malin e Zi, ku jeni ju, përfshirë ambasadorin. 3 grupkapituj mbyllëm me Shqipërinë.
Për këtë vend, nisëm për herë të parë të mbyllim kapitujt. Shpresoj që edhe vendet e tjera kandidate të Ballkanit Perëndimor, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova apo dhe Turqia dhe Gjeorgjia do të ndjekin këtë shembull dhe të shfrytëzojnë këtë moment. Kjo kërkon lidership dhe krijimin e besimit me 27 vendet e BE-së”, tha Marta Kos.
Për përshpejtimin e zgjerimit, Marta Kos mori shembull Malin e Zi, vendin më të avancuar në negociata, për të cilin përmendi sërish datën e anëtarësimit në 2028.
“Vendi më i avancuar, Mali i Zi, ka mbyllur më shumë se gjysmën e grupkapitujve të negociatave. Vendet e BE-së kanë filluar të hartojnë draftin e traktatit të anëtarësimit. Nuk e kemi parë që në 2009 me Kroacinë, dhe me presidencën irlandeze shpresojmë që gjithë grupkapitujt t’i mbyllim deri në fund të këtij viti. Dhe në vitin 2028 Mali i Zi do të mund të jetë anëtari i 28-të i BE-së”, shtoi Kos.
Për Kos, zgjerimi nuk është vetëm një interes i njëanshëm i vendeve kandidate. Tashmë loja ka ndryshuar, dhe BE është më e interesuar se vetë vendet kandidate për t’u zgjeruar.
“Zgjerimi është prioritet. E mrekullueshme që këto vende me vullnet të lirë duan të na bashkohen. Na duheni të gjithë. Ju lutem, sqaroni pse është e rëndësishme. Nuk është çështje që ne do të paguajmë kandidatët dhe ata do të bëhen pjesë e BE-së e do të bëhen më mirë ekonomikisht dhe nga ana demokratike. Ata do të kontribuojnë në paqen, sigurinë dhe prosperitetin tonë. Duhet të bëhemi bashkë si Europë”, u shpreh më tej komisionerja.
