Balla: Mos bëni politike me Kosovën/ Qëndrimi i kreut të grupit të PS pas deklaratës së ministres serbe

AKTUALITET


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dënoi edhe një herë ashpër këtë herë nga salla e kuvendit deklaratën e ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila deklaroi se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit do të kishte kryer spastrim etnik në Kosovë. Balla u ktheu përgjigje kritikave të partive të vogla opozitare duke rikujtuar se reagimi i Shqipërisë ishte i menjëhershëm dhe në koordinim me aleatët ndërkombëtarë.

“Sa i përket një deklarate jo vetëm të papërgjegjshme, por indinjuese dhe të rëndë të një anëtareje të qeverisë së Serbisë, reagimi i qeverisë shqiptare ka qenë në kohë, adekuat, nga Ministria e Jashtme në mënyrë të menjëhershme”, u shpreh Balla.

Ai akuzoi opozitën se po përdor një çështje kombëtare për debat politik, duke theksuar se deklarata të tilla nuk trajtohen me “karagjozllëk”.

“Këto janë çështje që nuk adresohen me karagjozllëk diletantësh politikë. Janë çështje të një rëndësie kombëtare. Ne nuk tallemi me çështjet kombëtare”, deklaroi ai.

Balla tha se kishte reaguar publikisht përpara kritikëve të qeverisë dhe se dënimi i deklaratës së ministres serbe është ndarë edhe me partnerët ndërkombëtar.

“Kam nderin të jem kryetar i këtij grupi parlamentar dhe kam reaguar shumë përpara teje. Ti ishe në gjumë kur kam reaguar unë në emër të këtij grupi parlamentar”, tha ai.

Sipas Ballës, deklarata e ministres serbe është dënuar edhe në nivel europian.
“Ky akt i dënueshëm është dënuar edhe nga autoritetet politike me të cilat ne komunikojmë, Komisioni Europian në të gjitha nivelet, qoftë nga komisionerja Marta Kos, por edhe në nivele të tjera. Shqipëria reagon bashkë me aleatët e vet”, u shpreh kreu i grupit parlamentar socialist.

Në fund, Balla mbrojti edhe qëndrimin e kryeministrit Edi Rama për Kosovën, duke kujtuar deklaratat e tij në Beograd dhe Bruksel.

“Edi Rama është i vetmi kryeministër në historinë e këtij vendi që nga viti 1912, i cili çështjen e Kosovës e ka ngritur mu në mes të Beogradit dhe e ka bërë të qartë se Kosova është shtet i pavarur. Shqipëria mbështet fuqimisht anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Europian”, deklaroi Balla.

Replika e plotë:
Sa i përket një deklarate jo vetëm të papërgjegjshme por indinjuese dhe të rëndë të një anëtare të qeverisë së Serbisë, reagimi i qeverisë shqiptare ka qenë në kohë, adekuat nga Ministria e Jashtme në mënyrë të menjëhershme. Ndërkohë, këto janë çështje që nuk adresohen me karagjozllëk diletantësh politikë, por janë çështje të një rëndësie kombëtare, që nuk mund të tallemi për një aspekt procedural që një kadet i ri në Kuvendin e Shqipërisë kujton se mund të marrë vëmendje politike. Ne nuk tallemi me çështjet kombëtare. Nuk jemi ne karagjozë, si puna jote. Dhe qëndrimin e kemi mbajtur në nivelin e qeverisë nga Ministri i Jashtëm, e kemi mbajtur në nivel politik.

Kam nderin të jem kryetar i këtij grupi parlamentar dhe kam reaguar shumë përpara teje, meqë u bëmë si kalamajtë e kopshtit këtu, që duhet të themi kush ka reaguar. Ti ishe në gjumë kur kam reaguar unë, në emër të këtij grupi parlamentar, bashkë me ata që ke në atë kafazin tënd politik. Dhe, natyrshëm, natyrshëm, ky akt i dënueshëm është dënuar edhe nga autoritetet politike përfaqësuese me të cilët ne komunikojmë, Komisioni Evropian në të gjitha nivelet, qoftë në nivelin e komisioneres Marta Kos, por edhe në të gjitha nivelet e tjera. Dhe Shqipëria, kur reagon— po reagon bashkë me aleatët e vet, dhe prandaj është turp që të vish dhe të bësh politikë.

Sa i përket Edi Ramës, ti dhe ata shokët e tu duhet të lani gojën mirë, sepse Edi Rama është i vetmi kryeministër në historinë e këtij vendi që nga 1912, i cili çështjen e Kosovës e ka ngritur mu në mes të Beogradit, dhe e ka bërë me dije qartësisht edhe së fundmi në Bruksel, edhe në Beograd, në tetor të vitit 2014, që Kosova është shtet i pavarur. Dhe Shqipëria, Shqipëria mbështet fuqimisht, jo vetëm e ka mbështetur pavarësinë, sot mbështesim fuqimisht anëtarësimin e Kosovës në NATO, anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Faleminderit.



Skip to toolbar