Një flamur ka PD. Flamur Nokën, i rikonfirmuar si nr. 2, ose Sekretari i Përgjithshëm krah Sali Berishës.
Doktori komicitetin e mbajti për zgjedhjet me veten, kurse Flamur Noka të paktën kishte rival dhe garë.
Berisha hoqi Meremen, Flamuri u përball me Saimir Korreshin, deputetin bio-komik, dhe fitoi.
Por gara më interesante ishte për nënkryetarët.
Më në fund, Belind Këlliçi merr një fitore, ama brenda PD. Ai mposhti me 60 vota diferencë Luçiano Boçin.
Fitorja e parë e Këlliçit u paralajmërua me një look të ri, mjekrën, duke mos e fshehur dot ngjashmërinë me fituesin e Nju Jorkut, kryebashkiakun Zoran Mamdani.
Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj nuk kanë nevojë të votohen. Falë një neni të lexuar mbrapsht, mbeten nënkryetarë ex officio për aq kohë sa duhen.
Gjekmarkaj mori bekimin e Papës, kurse Bardhi e bëri një punë, numëruesin e votave.
Por jo çdo bekim bie në vesh të doktorit në PD. Djali i pastorit Akil Pano humbi në garën për nënkryetar.
Krahun e hapi dhe Oerd Bylykbashi, mungesa e të cilit nuk pritet të ndihet si nënkryetar në PD. Sa kohë të shkallët e selisë t’ju presë truri i ri i organizimit të PD, djali i Fahri Balliut.
Kurse gjykatësja e PD mbetet Adriana Kalaja, për arsyen e vetme se, në ditë të vështira, mbajti statutin larg nga karrigia e doktorit.
Zgjedhje u zhvilluan dhe për një sërë sekretariatesh, por tashmë mesazhi është i qartë: ripërtëritja e PD nuk e kalon katin e parë.
Zgjedhja e lidershipit pa garë në PD tashmë nuk është lajm. Berisha tentoi ta digjte lajmin e keq, ditën e gjysmëfinales së madhe për Kupën e Botës, që përfundoi me dramë, mes Anglisë dhe Argjentinës.
Ndërsa e gjithë bota mbante sytë në Atlanta, në PD një numër i vogël individësh provuan për herë të fundit të testojnë nëse në selinë blu ka vlerë vota.
Por edhe në këtë përballje lidershipi, fitoi sërish Leo Messi. Sali Berisha ngeli peng i lojës së tij pesëvjeçare të rithemelimit: ai është lojtari i ndeshjes, por Partia Demokratike kapet sërish në pozicion jashtë loje.
