U prezantua sot Qendra e Komandës dhe Kontrollit, një nga komponentët kryesorë të projektit kombëtar “Smart City”.
Në fjalën e rastit, kryeministri Edi Rama u shpreh se për projektin janë përzgjedhur 20 shkollat e para, ndërsa theksoi se me këtë sistem sot prindërit ndihen më të lehtësuar.
“Sot ne kemi hyrë në zemër të problemit. Siguria në shkolla, me 20 shkolla të para që janë përzgjedhur për nga dendësia e numrit të nxënësve për nga dendësia e popullisë përreth, dhe edhe për nga domosdoshmëria që duke testuar modelin të nxjerrim konluzionet e nevojshme për fazat e tjera
Sot të gjithë prindërit duhet të ndihen të lehtësuar për faktin se qeveria ndryshe nga sa përshkruhet në kanalin e rrjeteve sociale është një trup që thotë atë bën dhe bën atë që thotë. Nuk ka projekt mos ndeshë pengesa, por sot jemi në një moment ku projekti merr jetë e nuk ndalet më, duke shënuar një fazë të re historike të përpjekjes së shtetit, për të ngritur në një nivel tjetër menaxhimin e sigurisë publike. Projekti është i ndërtuar në mënyrë që sistemi të informojë në kohë reale për rrezikun jo thjesht të ruajë një informacion që më pas duhet marrë duke hapur sistemin e duke nxjerrë informacionin kur fakti ka ndodhur,” tha Rama, ndërsa theksoi se sistemi i ri do I japë fund precendetëve që makina të cilat kryejnë akte kriminale, largohen e gjenden të djegura pak metra më tutje.
“Nëse një thikë del nga xhepi në cilindo vend publik, jo vetëm në shkolla, sistemi jep menjëherë informacion në qendrën e monitorimit. Nëse një person në kërkim sot është një person që ka shumë mundësi të fshihet gjatë sistemit të kërkimit, sistemi e bën të pamundur që në momentin e reagimit të mos dijë nga drejtohet
Historia e makinave që kryejnë akte dhe më pas gjenden të djegura nuk mund të ndodhë më për shkak se sistemi e sheh makinën para se ë ndalet dhe informon se ku gjendet”, shtoi Rama.
