Pakënaqësitë e mëdha të qytetarëve me agjencitë shtetërore të trajtimit të pronave më në fund po marrin një përgjigje. Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, njoftoi se Agjencia e Trajtimit të Pronave do të vendosë në dispozicion dy ditë të javës për takime të drejtpërdrejta me Drejtorin e Përgjithshëm, me synimin për të përshpejtuar trajtimin e kërkesave.
Sipas ministrit, çdo të mërkurë qytetarët do të mund të paraqesin problematikat që lidhen me kompensimin e pronave, ndërsa çdo të enjte do të trajtohen çështjet që kanë të bëjnë me njohjen e pronësisë.
Ministri i Drejtësisë foli edhe për një nga projektet e parashikuara në sistemin penitenciar. Sipas tij, Burgu i Shënkollit në Lezhë do të transformohet në një institucion të posaçëm të shëndetit mendor.
Gogu tha se objekti do të shërbejë për trajtimin e të dënuarve me probleme të shëndetit mendor, sipas standardeve që aplikohen në vendet evropiane. Ai theksoi se projekti është pjesë e një plani afatgjatë dhe se realizimi i tij do të kërkojë disa vite.
“Çdo të mërkurë, të gjithë ata që kanë problematika me Agjencinë e Trajtimit të Pronave do të kenë mundësi të takohen me drejtorin për çështjet e kthimit të kompensimit, ndërsa të enjteve për çështjet e njohjes së pronësisë. Drejtori i Përgjithshëm ka hartuar një plan të posaçëm për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve, pasi e dimë shumë mirë që kjo është një nga temat që ka prekur dhe ka lënë pasoja te shumë familje”, u shpreh ministri Gogu.
